Tash e disa muaj, shumë qytetarë të Kosovës kanë mbetur në pritje për t’u pajisur me letërnjoftim.
Mungesa e këtij dokumenti identifikimi po bënë që qytetarët të presin 3 deri në 6 muaj.
Por këtij problemi shpejt pritet që t’i vije fundi.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thonë se janë duke u angazhuar që në pjesën e dytë të dhjetorit të nisë pajisja me letërnjoftim.
“Angazhimi ynë është që kthimi në normalitet të ndodh kah mesi i dhjetorit të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për FrontOnline.
Nga kjo ministri kanë treguar edhe faktorët që kanë ndikuar në mungesën e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve.
Ata thonë se shkak kryesorë ka qenë pandemia Covid-19.
“Duke pas parasysh se pandemia COVID-19 ka shkaktuar vështirësi në tregun botëror, ashtu ka ndikuar edhe tek ne përkatësisht në furnizimin me material për dokumente”, bëjnë të ditur për Front Online nga MPB-ja.
Përkundër problemeve me material, MPB-ja është duke i pajisur qytetarët me letërnjoftim, por me një numër më të vogël.
“Edhe për kundër kësaj çështje, pajisja e qytetareve me letërnjoftime është duke vazhduar, por me një numër të konsideruar”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre për Front Online.
Kohë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se ua ka mundësuar qytetarëve që pavarësisht skadimit të afatit për këtë dokument, mund ta përdorin atë deri në 6 muaj pas skadimit./FrontOnline