Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Prizren sot ka mbajtur mbledhjen e radhës të vitit 2020.
Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pjesëmarrësit prezantuan raportet e tyre në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.
Haskuka theksoi se në Komunën e Prizrenit gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar 78 raste pozitive me Covid-19, si rezultat i rritjes së infektimeve në mbarë Kosovën, por shprehu se Prizreni është qyteti me numrin më të ulët të rasteve në krahasim me komunat tjera.
I pari i Prizrenit po ashtu bëri të ditur se nga fillimi i muajit tetor, Komuna e Prizrenit ka filluar me kryerjen e testeve serologjike në “QMF 1”, dhe deri më tani janë kryer 1182 teste, 231 nga të cilët kanë dalur pozitiv.
Duke dhënë informacione të detajuara në lidhje me gjendjen e arsimit në Komunën e Prizrenit, drejtoresha e DKA-së, Xhemile Thaçi Vezgishi tha se të gjitha shkollat janë dezinfektuar me kohë dhe janë furnizuar me mjete të nevojshme.
Ajo njoftoi se nga 600 teste që janë kryer nëpër shkolla, 4 nxënës dhe 15 mësimdhënës janë testuar pozitiv me Covid-19.