Katër Komunat kryesore të Kosovës, Prishtina, Peja, Gjakova dhe Gjilani, kanë raportuar pak buxhet të shpenzuar në kategorinë e investimeve kapitale në tre mujorin e parë të vitit 2024, përderisa rekord shpenzimesh ka ndodhur në Obiliq dhe Deçan, raporton portali “FrontOnline”.
Sipas raportit tre mujor financiar të Ministrisë së Financave, Prishtina gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar vetëm 3% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale, Peja 7%, Gjilani 8%, Gjakova dhe Mitrovica e Jugut nga 9% të buxhetit. Dukshëm më mirë qëndrojnë Ferizaji dhe Prizreni, të cilat kanë shpenzuar nga 21% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Në anën tjetër, Obiliqi vetëm për tre muaj ka shpenzuar 59% të buxhetit, ndërsa Deçani 57%.
Katër Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, të cilat nga viti i kaluar udhëhiqen nga kryetarët shqiptar nuk e kanë shpenzuar asnjë cent në kategorinë e investimeve kapitale, raporton FrontOnline.
Përpos nivelit lokal, edhe niveli qendror ka raportuar pak investime kapitale në tre mujorin e parë 2024, me ç’rast 6 Ministri të Qeverisë “Kurti” kanë raportuar zero investime kapitale për tre muajtë e parë të këtij viti.
Sipas raportit tre mujor të Buxhetit, në periudhën janar-mars 2024 gjitha institucionet shtetërore kanë shpenzuar vetëm 87 milionë euro në kategorinë e shpenzimeve kapitale, apo vetëm rreth 10% të buxhetit të përgjithshëm të planifikuar për investime kapitale. Për njohësit e ekonomisë, kjo përqindje është tragjike për ekonominë e Kosovës.
Gërxhaliu: Po dominon agjenda politike, po anashkalohet ekonomia
Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu duke iu referuar raportit tre mujor të Buxhetit, në periudhën janar-mars 2024 ku të gjitha institucionet shtetërore kanë shpenzuar vetëm rreth 10% të buxhetit të përgjithshëm të planifikuar për investime kapitale thotë se kjo përqindje sa është shqetësuese është edhe tragjike për vendin.
Gërxhaliu thotë për “Front Online” se kjo përqindje pamundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtë drejtim, sipas tij, nuk duhet të na habisë fakti që çdo ditë kemi më tepër mbyllje të kompanive të cilat vërtetë e dëshmojnë mjerimin që ka kapluar ekonominë e Kosovës.
“T’i thuash dikujt që në tre muajt e parë të këtij viti e kemi këtë përqindje kaq të ulët të implementimit të projekteve kapitale, sa është shqetësuese është edhe tragjike. T’i thuash dikujt që në vitin 2023 kemi pasur një situatë të tillë, ku tek në fund të vitit kanë filluar disa projekte të financohen dhe të implementohen, me këtë situatë me të vërtetë po sfidohet sektori privat përmes mosimplementimit të projekteve, realizimit të të tyre nga ana e sektorit privat atëherë vie pyetja si mund të kemi vende të reja të punës? Si mund të kemi investime në prodhim? Si mund të kemi investime në teknologjinë moderne dhe në partneritet me kompanitë tjera rajonale në këtë drejtim nuk duhet të na habisë fakti që çdo ditë kemi më tepër mbyllje të kompanive të cilat vërtetë e dëshmojnë mjerimin që ka kapluar ekonominë e Kosovës”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, askush nuk e adreson problemin që mosimplementimi i projekteve kapitale është në mënyrë direkte apo indirekte një ndër grushtet më të mëdha që i shërben sektorit privat në Kosovë.
“Definitivisht, agjenda politike është duke dominuar dhe sa më tepër e kemi këtë dominancë anashkalohet ekonomia, ku përmes këtij anashkalimi edhe përmes morealizimit të projekteve kapitale po ngulfatet sektori privat, që në rrethana normale duhet të jetë shtylla e funksionimit të shtetit sepse nuk jetohet nga politika por nga ekonomia dhe qëndrueshmëria ekonomike”, tha ai.
Gërxhaliu thekson se nëse nuk veprohet në këtë drejtim, do të ketë më tepër keqpërdorim të këtyre fondeve sesa ato fonde të hyjnë në funksion të zhvillimit dhe qëndrushmërisë ekonomike.
“Të gjitha investimet kapitale kanë një periudhë kohore apo një plan dinamik të investimeve, por në këtë drejtim duhet të përfillen me një dinamikë dhe kronologji. Nuk është e rrugës që të kemi shpenzime ad-hoc por duhet të ketë integritet dhe monitorim e arsyeshmëri. Në qoftëse në këtë drejtim nuk veprohet atëherë definitivisht do të kemi shumë më tepër keqpërdorim të këtyre fondeve sesa ato fonde të hyjnë në funksion të zhvillimit dhe qëndrushmërisë ekonomike”, tha Gërxhaliu për Front Online.
Shpenzimet kapitale në nivelin lokal
Drenasi 6%
Fushë Kosova 0%
Lipjani 23%
Obiliqi 59%
Podujeva 14%
Prishtina 3%
Shtime 2%
Graçanicë 14%
Dragash 4%
Prizren 21%
Rahovec 31%
Suharekë 6%
Malishevë 45%
Mamushë 0%
Deçan 57%
Gjakovë 9%
Istog 10%
Klinë 11%
Pejë 7%
Junik 3%
Mitrovicë e Jugut 9%
Skënderaj 30%
Vushtrri 8%
Leposaviq 0 %
Zubin Potok 0%
Zveçan 0%
Mitrovica Veriore 0%
Gjilan 8%
Kaçanik 3%
Kamenicë 0%
Novobërdë 3%
Shtërpcë 0%
Ferizaj 21%
Viti 17%
Partesh 99%
Hani i Elezit 0%
Kllokot 5%
Ranillug 1%