Kampioni i Kosovës në futboll, Prishtina, do të përballet me katër mungesa në ndeshjen e parë paraeliminatore në Ligën e Kampionëve.
Lajmin e ka konfirmuar faqja zyrtare e klubit prishtinas, shkruan FrontOnline.
“Skuadra pati mungesën e Leonit Abazit (stërviti veçmas) dhe Samuel Mones – të dy këta të lënduar, kurse me skuadrën punuan Bekteshi, i suspenduar me kartonë dhe Tolaj i cili nuk ka mundur të licencohet para afatit kalimtar ndërkombëtar i cili fillon më 1 korrik”, thuhet në njoftim.
Prishtina do të luajë sot kundër kampionit të San Marinos, SS Folgore, ndeshje kjo që zhvillohet nga ora 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”./FrontOnline/