Dy medalje të fituara sot nga xhudistet kosovare në kampionatin Europian që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë e kanë ngritur edhe njëherë vendin tonë në piedestal në Europë, shkruan Demokracia.com.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas suksesit të Distria Krasniqit që fitojë medaljen e artë dhe Nora Gjakovës që fitojë të bronztën duke e vlerësuar lartë punën e xhudisteve në garat ndërkombëtare.
“Xhudistet tona të arta me medalje e me shpirt, po e ngrisin Republikën tonë lartë e më lartë”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Distria e artë!
Sot, Distria Krasniqi, u shpall kampione e Evropës për herë të parë, ndërkaq Nora Gjakova fitoi medalen e bronztë. Xhudistet tona të arta – të arta me medalje e me shpirt, po e ngrisin Republikën tonë lartë e më lartë. S’ka si të jetë ndryshe! Këto arritje të tyre janë reflektim i pastër i punës së palodhshme, angazhimit në një mision me qëllim të qartë, e konsistencë në këtë drejtim.
Ditën e parë të punës si Presidente e fillova pikërisht me Distrian dhe xhudistet tona fantastike. Atë ditë e kuptova edhe njëherë që secila nga këto vajza janë shkëndija në vete e që s’do të ndalen së shndrituri asnjëherë.
Faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve, për nderin që po i bëni Republikës sonë.
“Vetëm përpara e gjithnjë më fitore të reja! ”