Akil Gjakova e ka regjistruar një sukses të jashtëzakonshëm. Xhudisti nga Peja është shpallur kampion i Evropës në xhudo, raporton FrontOnline.
Në finale, ai e mposhti xhudistin izraelit, Butbul në kategorinë deri 73 kilogramë. Kjo ishte medalja e tretë e Kosovës në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë.
Për këtë triumf, Akilin e ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në rrjetin social “Facebook”, Osmani i ka kushtuar një shkrim special Akilit.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
“I artë dhe Akili jonë!
Kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport.
E gjithë kjo falë xhudistëve tanë dhe triumfit të tyre të pashoq në Kampionatin Evropian.
Sot, Akil Gjakova e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.
Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet.
Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist!“./FrontOnline/