Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur pikëllim të thellë pas lajmit për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të njohur, Zijadin Gashi. Në një postim të saj, Presidentja Osmani theksoi se Gashi ishte një gazetar i përkushtuar, që e kaloi jetën e tij në shërbim të medias, duke kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në fushën e informimit publik.
“Karriera e tij e gjatë dhe kontributi i paçmuar në median e shkruar, elektronike dhe televizive do të mbeten gjithmonë një testament i angazhimit të tij për informim të saktë dhe profesional. Integriteti i tij dhe pasioni për gazetari ishin të padiskutueshme,” ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen, të afërmit dhe komunitetin e gazetarëve, duke shtuar se e ndan këtë dhimbje me ta. “Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes,” tha Osmani.
“Qoftë i përhershëm kujtimi për Zijadin Gashin,” përfundoi Presidentja Osmani.