Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, është dërguar në spital pas infektimit me koronavirus para disa ditëve, bëri të ditur një zyrtare presidenciale të enjten.
“Ai fillimisht shkoi në shtëpi, por vendosi të shkojë në spital që të izolohet në mënyrën e duhur dhe të mos e ekspozojë askënd (ndaj virusit)”, tha për agjencinë Reuters zëdhënësja presidenciale.
“Atje ka kushte më të mira për pacientët. Asgjë serioze”, shtoi ajo, duke iu referuar shëndetit të presidentit ukrainas.
Zelenskiy të hënën tha se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Tre zyrtarë tjerë të lartë, përfshirë ministrin e Financave, ministrin e Mbrojtjes dhe ndihmësin kryesor të presidentit, raportohet se gjithashtu janë prekur nga virusi i ri.
Ndryshe, numri i rasteve ditore të infeksioneve në Ukrainë filloi të rritej në fund të shtatorit dhe ka vazhduar të mbetet i lartë në tetor dhe deri më tani në nëntor, duke e nxitur qeverinë që ta zgjasë afatin e disa masave kufizuese deri në fund të vitit.
Deri të enjten, Ukraina ka regjistruar mbi 500.000 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa 9.145 kanë vdekur.