Presidenti autoritar i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, është rizgjedhur për një mandat të pestë. Sipas rezultateve paraprake zyrtare ai ka fituar gati 91 për qind të votave. Zgjedhjet u mbajtën nën kontroll të rreptë dhe kishin karakter kryesisht ceremonial.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i vendit të Azisë Qendrore tha më 12 tetor se 90.92 për qind e votuesve kishin hedhur votat e tyre për Rahmon.
Që nga viti 1992, Rahmon ka fituar katër zgjedhje presidenciale radhazi, asnjëra prej të cilave nuk u konsiderua e lirë ose e ndershme nga vëzhguesit perëndimorë. Ai është i vetmi lider autokrat – post-sovjetik – që është në pushtet më gjatë se Alyaksandr Lukashenka i Bjellorusisë.
Zgjedhjet u mbajtën derisa janë rritur shqetësimet për ekonominë e Taxhikistanit. Për shkak të pandemisë së COVID-19, qindra mijëra punëtorë migrantë nuk janë në gjendje të udhëtojnë në Rusi për punë, duke pamundësuar kështu dërgesat e tyre, të cilat janë të nevojshme për të mbështetur ekonominë lokale.
Zgjedhjet ishin të parat që kur partia rivale politike më me ndikim, Partia e Rilindjes Islamike (IRPT), u shpall e paligjshme.
Gjykata e Lartë e vendit e shpalli këtë parti si një organizatë “terroriste” më 2015.
Shumë nga udhëheqësit dhe zyrtarët e partisë janë burgosur, ndërsa të tjerët u larguan nga vendi.
Partia Social Demokrate, i vetmi grup i vërtetë opozitar politik brenda vendit, bojkotoi zgjedhjet.