Në një intervistë për “El Chiringuito”, presidenti i Real Madridit dhe Superligës evropiane, Florentino Perez ka folur hapur për garën që ka shkaktuar tronditje tektonike në botën e futbollit.
Perez zbuloi se është vendosur të formohet Superliga evropiane, shkruan FrontOnline.
“Jam në futboll që 21 vjet, jam ekspert në këtë sport. Rrjetet sociale kanë ndryshuar botën dhe futbolli duhet t’i përshtatet situatës. Interesi në këtë sport po zvogëlohet, paratë nga të drejtat televizive po zvogëlohen. Ne duhej të bënim diçka”, thotë Perez.
“Kërkimet thonë se të rinjtë po e humbasin interesimin për futbollin. Ka shumë ndeshje të këqija që nuk janë interesante dhe ne kemi nevojë për më shumë ndeshje joshëse”, tregon ai.
I pari i Real Madridit thotë se në këtë projekt është punuar që dy vjet dhe se COVID-19 e shpejtoi realizimin e tij.
“Real Madridi ka humbur 400 milionë euro në të hyra shkaku i pandemisë, dhe kjo është arsyeja pse kemi shitur futbollistë. Superliga ishte zgjidhja. Këtu do të kompensojmë paratë e humbura në Ligën e Kampionëve”, shtoi i pari i Real Madridit./FrontOnline/