×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Presidenti i Malit të Zi s’e dekreton marrëveshjen për Plazhin e Madh në Ulqin

    FrontOnline
    29 Prill 2025

    (Rradio Evropa e Lirë) – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim njërën nga dy marrëveshjet që Qeveria e Malit të Zi i kishte nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe – atë që i hapte rrugë dhënies me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.

    Sipas asaj marrëveshjeje, Mali i Zi do t’ia jepte Plazhin e Madh me qira për 99 vjet kompanisë Emmar të biznesmenit arab, Mohamed Alabbarit, që do të ndërtonte një kompleks megaturistik në Ulqin.

    Alabbar ka marrë pjesë edhe në projekte rajonale në Kroaci, Shqipëri dhe në “Beogradin mbi ujë” në Serbi.

    Por, Millatoviq, i cili dekretoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik, nuk e bëri të njëjtën edhe për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Këtë të fundit ai ua ktheu deputetëve për ta votuar sërish.

    Që marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministri Millojko Spajiq në fund të marsit me zyrtarët e Emirateve të hyjnë në fuqi, Kuvendi i Malit të Zi i miratoi dy ligjet me procedurë të përshpejtuar më 23 prill, me propozim të Qeverisë.

    Ato u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – lëvizja e Spajiqit “Evropa tani”, partia “Demokracia e Re Serbe” e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake.

    Ditëve para miratimit, Millatoviq dhe një pjesë e sektorit joqeveritar paralajmëruan se me miratimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme po pezullohet Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.

    Kthimi i këtij ligji nga Millatoviq e detyron Kuvendin që të votojë sërish për të. Nëse ligji miratohet përsëri, ai do t’i dërgohet sërish Millatoviqit për nënshkrim. Sipas Kushtetutës, në atë rast ai është i detyruar ta nënshkruajë, dhe ligji hyn në fuqi.

    Arsyetimi i Millatoviqit për kthimin

    Nga zyra e presidentit të Malit të Zi u tha se arsyet për mosnënshkrimin janë shumë çështje të hapura në atë marrëveshje, për të cilat publiku nuk ka marrë përgjigje adekuate nga Qeveria.

    Kritikat kryesore janë se marrëveshja nuk respekton parimin e konkurrencës dhe pozitës së barabartë në treg, se pezullon legjislacionin vendas për prokurimet publike, tenderët dhe pasurinë shtetërore, se mungojnë analizat juridike dhe financiare për shumë detyrime që Qeveria ka marrë mbi vete…

    “Marrëveshja përbën praktikisht një akt detyrues njëpalësh, me një sërë detyrimesh për shtetin e Malit të Zi, ndërkohë që nuk përmban asnjë detyrim konkret nga pala tjetër që do të siguronte mbrojtjen e interesave të shtetit në këtë marrëdhënie juridike”, thuhet në arsyetimin e Millatoviqit.

    Me këtë qasje, siç pretendohet, Qeveria e ka vënë Malin e Zi në një pozitë të pabarabartë në raport me palën tjetër kontraktuese.

    Presidenti Millatoviq në fund u bën thirrje deputetëve që, gjatë rishqyrtimit, të marrin në konsideratë të gjitha vërejtjet ndaj marrëveshjes nga një pjesë e institucioneve shtetërore, komuniteteve lokale, sektorit joqeveritar dhe zyrtarëve evropianë, në mënyrë që – siç thuhet – të parandalohen pasojat e dëmshme për interesat shtetërore.

    Për arsyet e kthimit të marrëveshjes, Millatoviq e ka informuar me telefon ministrin e Jashtëm të Emirateve, Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

    Ulqini – arsyeja kryesore e marrëveshjes?

    Edhe pse në marrëveshje nuk përmendet lokacioni i investimeve, Qeveria ka njoftuar më herët se ato lidhen me investimet e biznesmenit arab Mohamed Alabar në Plazhin e Madh të Ulqinit, çka është kundërshtuar ashpër nga autoritetet lokale, opozita dhe ekologët.

    Bëhet fjalë për një koncesion 99-vjeçar për një pjesë të Plazhit të Madh, me rreth 20 milionë metra katrorë, ku do të ndërtohen komplekse turistike dhe banimi, ka deklaruar disa herë kryeministri Spajiq.

    Në fillim të prillit, ai në Kuvend deklaroi se Alabar është i gatshëm të investojë rreth 35 miliardë euro. Më vonë ai e relativizoi këtë deklaratë, duke thënë se bëhet fjalë për potencialin për tërheqjen e një investimi të tillë.

    Marrëveshja e obligon Qeverinë që të përgatisë dokumentacionin planifikues sipas dëshirave të investitorëve arabë, të ndërtojë infrastrukturën për projektet, të marrë përsipër shpenzimet e eksproprijimit, etj.

    Nuk ka vlerësim të qartë sa do të mund të kushtonte kjo për Malin e Zi.

    Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar, MANS, që për dekada lufton kundër korrupsionit, ka paralajmëruar për rrezik të lartë për pastrim parash, pasi të dhënat për pronarët realë të kompanive të regjistruara në Emirate nuk janë të disponueshme publikisht.

    Qeveria nuk do të mund të verifikojë kujt i ka dhënë pasurinë shtetërore, thonë nga MANS.

    Sektori joqeveritar vlerëson se marrëveshja është në kundërshtim me të drejtën evropiane në fushat e prokurimeve, konkurrencës, dhe ekologjisë.

    Këto çështje mbulohen nga kapitujt për lirinë e qarkullimit të kapitalit, për prokurimet publike, për konkurrencën dhe për mbrojtjen e mjedisit, që Mali i Zi synon t’i mbyllë në negociatat me Komisionin Evropian deri në fund të vitit.

    Qëllimi i Qeverisë së Malit të Zi është që deri në fund të vitit 2026 të mbyllë të gjitha kapitujt negociues, në mënyrë që dy vjet më vonë Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni01 Qershor 2025
    Si pjesë e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, i cili do të publikohet të hënën, qeveria ka premtuar 1.5...
    Bota/Rajoni01 Qershor 2025
    Dje në Basel-Binningen temperatura arriti në 30.2 gradë. Temperaturat afër 30 gradë edhe në vende të tjera dhe mbi 28 gradë në...
    Bota/Rajoni01 Qershor 2025
    Siç njoftoi policia kantonale e Bernës të shtunën, shoferi po udhëtonte në A6 nga Lätti në drejtim të Schönbühl në orën 3:20...
    Të tjera
    Lajme01 Qershor 2025
    Deputetja Mimoza Kusari–Lila tha se Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional. Kusari – Lila në postimin e saj në rrjetins social,...
    Lajme01 Qershor 2025
    Me ftesë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sot në Kosovë ka mbërritur ministri i Jashtëm i Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo. Sipas...
    Lajme01 Qershor 2025
    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu ka kujtuar kampanjën e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje dikur për blerjen...
    Lajme01 Qershor 2025
    Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, mori pjesë sot në panairin...
    Lajme01 Qershor 2025
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur me ceremoni shtetërore Kreun e Shtetit të Antigua dhe Barbudas, Guvernatori i Përgjithshëm Sir Rodney...
    Bota/Rajoni01 Qershor 2025
    Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka paralajmëruar se vendi mund të përfundojë në një situatë të ngjashme me bllokimin e...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.