Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i shoqëruar nga këshilltari i tij, Besim Aliti, kanë pritur ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.
Krasniqi duke falënderuar ambasadorin Abbott për vizitën, e njohu me sfidat e sportit të Kosovës dhe përgatitjet që KOK-u po i bënë para pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Tokio 2020, përcjell FrontOnline.
Krasniqi theksoi se deri më tani nëntë sportistë do të përfaqësojnë vendin në Tokio 2020
Ambasadori Abbott, që shoqërohej nga pronari i Kompanisë Vlera Sport, Faton Paqarada, ka uruar Krasniqin për zgjedhjen në krye të KOK-ut, derisa ka mbetur i entuziazmuar me të arriturat e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ambasadori uroi ekipin olimpik të Kosovës me në krye kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, të kthehet me medalje olimpike edhe nga Tokio 2020.
Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen, në përkrahjen për KOK-un dhe federatat sportive në Kosovë.
Krasniqi i ndau figurën “Vrapuesja Ilire”, si dhe një orë të Lojërave Olimpike Tokio 2020./FrontOnline/