
Sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s kanë rrëzuar një raketë iraniane që po shkonte drejt hapësirës ajrore të Turqisë, ka deklaruar sot Drejtoresha e Komunikimit e Presidencës Turke.
“Një raketë e lëshuar nga Irani, duke kaluar nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë dhe duke u drejtuar drejt hapësirës sonë ajrore nga rajoni Hatay, është shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s”, ka thënë ajo në një deklaratë, shkruan CNN, trasnmeton Express.
Një pjesë e raketës parandaluese ka rënë në një zonë të hapur të Turqisë jugore, por nuk raportohet për humbje jetësh apo lëndime.
Kjo besohet të jetë hera e parë që forcat e NATO-s kanë kapur një raketë iraniane që udhëtonte drejt hapësirës ajrore të një vendi anëtar që kur konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu gjatë fundjavës.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan telefonoi sot homologun e tij iranian në lidhje me raketën, ka bërë të ditur një burim diplomatik turk.
Hakan Fidan “i përcolli reagimin (e Turqisë)” në lidhje me raketën dhe “deklaroi se çdo hap që mund të çojë në përhapjen e konfliktit duhet të shmanget”, ka deklaruar ky burim.
Zëdhënësja e NATO-s Allison Hart i tha CNN se blloku dënon “shënjestrimin e Turqisë nga Irani”.
“NATO qëndron fort me të gjithë aleatët, përfshirë (Turqinë), ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin”, tha ajo. “Qëndrimi ynë i parandalimit dhe mbrojtjes mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore dhe raketore.”