Gara për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës po bëhet çdo xhiro e më interesant, ku për kreun e tabelë janë duke luftuar tri skuadra.
Ballkani, Drita dhe Prishtina janë tri skuadrat që e duan titullin e kampionit këtë edicion, derisa diferenca e tyre e pikëve në tabelë është e ngushtë, shkruan FrontOnline.
Gjegjësisht, Ballkani është lider me 64 pikë të tubuara, Drita në vendin e dytë me po aq pikë, kurse Prishtina në vendin e tretë me 63 sosh.
Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Arsim Prepolli e ka komentuar garën për titull në elitën e futbollit të Kosovës.
Në një bisedë me FrontOnline, Prepolli ka thënë se gara po bëhet tejet interesante, derisa thotë se Prishtina bëri hap të madh me fitoren ndaj Dritës.
“Xhiro pas xhiro, kampionati po bëhet edhe më interesant, si për titull ashtu edhe për mbijetesë”, ka thënë fillimisht Prepolli, duke vazhduar:
“Prishtina me këtë fitore [ndaj Dritës] ka bërë një hap të madh për titullin kampion, kurse ndjekësit do të jenë Drita dhe Ballkani deri në fund”.
Sipas tij, lojën më të bukur në fushën e gjelbër po e tregon Prishtina.
“Lojën më të mirë po e tregon Prishtina deri më tani dhe unë i jap përparësi kësaj skuadre”, nënvizoi ai.
Për fund, Prepolli që tani ushtron profesionin e trajnerit, tregon se edhe gara për mbijetesë është tejet interesante.
“Edhe gara për mbijetesë është shumë interesante, ku katër-pesë skuadra do të luftojnë deri në fund të kampionatit, prandaj loja e futbollit është loja më e bukur në botë”, përfundoi të hënën për FrontOnline Arsim Prepolli./FrontOnline/