Joe Biden, sipas të gjitha gjasave tanimë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një adresimi në një takim të komunitetit shqiptar në SHBA, kishte premtuar se do të vazhdojë që me gjithë qenien e tij të angazhohet që SHBA-ja të jetë e përfshirë dhe të ketë trupa të cilët mund të qëllojnë dhe të vrasin në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë në Ballkan.
“Duhet të qëndrojmë derisa të përfundojmë punën tonë dhe ja çfarë do të thotë kjo: Definicioni i të përfunduarit të punës tonë është që të ketë rritje të dukshme të institucioneve demokratike dhe rajoni, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë – të jenë në rrugë për anëtarësim në NATO dhe të jenë në rrugë për të qenë pjesë e BE-së”, kishte thënë Biden.
Kjo pasi që, siç kishte thënë ai, derisa të arrijë ai moment, nuk do të ketë siguri të vërtetë për shqiptarët në Ballkan.
“Bota duhet të njohë vuajtjet, dhimbjet dhe humbjet që populli shqiptar në rajon ka përjetuar. Serbët duhet të shohin veten në sy dhe të kuptojnë se çfarë kanë bërë liderët e tyre”, kishte bërë thirrje Biden në një video që mban datën 28.04.2002.
Sipas tij, rëndësia e Gjyqit të Nurnbergut nuk ishte për të dënuar por për të bërë gjermanët që të kuptojnë se çfarë kishte ndodhur.
“Ju do të pyesnit se pse unë kam qenë tillë me serbët, të cilët janë njerëz shumë të mirë. Sepse derisa ata shikojnë në zemrat e tyre, ata nuk mund të shërojnë veten nga të bëmat e tyre. Dhe nëse vazhdojnë me një standard të tillë, cikli do të vazhdojë”.
Biden si konkluzion ka vlerësuar se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të ketë siguri botërore, pa siguri në Evropë.
“Dhe siguri në Evropë nuk mund të ketë, derisa Evropa Juglindore nuk bëhet pjesë stabile e botës”.