Arbëria e Dobrajës është skuadra e dytë pas Besës së Pejës që zyrtarisht do të bëjë gara në Ligën e Parë të futbollit kosovar nga edicioni i ardhshëm.
Vetëm pas një viti inkuadrim në Superligën e Kosovës, skuadra nga fshati Dobrajë e Madhe është rikthyer në Ligën e Parë, shkruan FrontOnline.
Arbëria është përballur me probleme jashtëzakonisht të mëdha këtë edicion, duke mos pasur një “konak” të vetin ku mund t’i zhvillojë ndeshjet.
Djelmoshat e Arbnor Morinës kanë ndërruar katër stadiume për një edicion. duke luajtur në Obiliq, Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan.
Natyrisht, kjo po shihet si faktori kryesor që ndikoi në rënien e Arbërisë së Dobrajës në Ligën e Parë.
Punimet në ndërtimin e stadiumit të Arbërisë në Dobrajë kanë nisur, projekt ky në kuadër të Komunës së Lipjanit, derisa premtimi i kryetarit Imri Ahmeti ishte që projekti të përfundojë në fund të vitit të kaluar.
Në tetor të vitit të kaluar, Ahmeti kishte premtuar se në fund të vitit 2020, punimet do të merrnin fund në këtë kompleks sportiv.
“Këtu po punohet në kompleksin e stadionit, fushave sportive në Dobrajë. Në fakt një stadium që është fillu ma herët, por kemi pasur telashe me një kompani të papërgjegjëshme, ta quaj kushtimisht për dinamiken e zvogëluar të punimeve, po besoj që tash ka fundi ka një dinamikë pak me të shtuar të stadiumit të madh të klubit futbollistik “Arbëria”, sepse “Arbëria”, tek ne është në superligë. Është kontraktu edhe stadium ndihmës për klubin dhe në të njejtën kohë janë bërë edhe fushat e vogla sportive, janë kompleksi sportiv i fshatit Dobrajë e Madhe dhe po mendoj që deri ka fundi duhet të kompletohet i gjith ky kompleks i objekteve sportive në këtë kompleks”, kishte thënë Ahmeti.
Sa i përket shumës që është investuar në këtë projekt, Ahmeti kishte thënë vlera totale arrin rreth 150 mijë euro.
“Nuk e di për të gjitha shumat një nga një, por nëse nuk gaboj, kap shifrën afër 150 mijë euro, këto komplekse sportive, bashkë me stadiumin ndihmës, ndërkaq stadiumi i madh faza e parë është përfunduar vitin e kaluar, tani jemi në implementim të pjesëve shtesë të fushës sportive, të objekteve ndihmëse, vlera është dikund mbi 110 mijë euro në total”, deklaroi ai.
Në krye me presidentin Jahir Krasniqin, Arbërisë i mbetet të konsolidohet fuqishëm në edicionin e ardhshëm për t’u rikthyer fuqishëm në elitën e futbollit kosovar sa më shpejt që është e mundur./FrontOnline/