Për zhdukjen e papunësisë, si një nga premtimet e fituesit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka pak optimizëm. Albin Kurti është zotuar se qeveria e tij nuk do të lejojë që 100 mijë qytetarë të Kosovës të jetojnë me më pak se 1 euro në ditë. Megjithatë, kjo po shihet përtej pritjeve që ka dikush në Kosovë. Kjo pasi që, siç po thuhet, qeveria nuk ka “shkop magjik” për të ndryshuar këtë gjendje.
Fituesi i zgjedhjeve legjislative të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti jo rrallëherë ka deklaruar se Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni. Për këtë, ai është zotuar se nuk do të lejojnë që qytetarët të jetojnë në varfëri ekstreme. Në programin qeverisës “Krejt dhe Drejt”, përmendën edhe disa politika që do hartojnë siç thuhet për të zhdukur varfërinë ekstreme.
“Qeveria jonë nuk do të lejojë që 100.000 bashkëqytetarë tanë të jetojnë me më pak se 1 euro në ditë. Si përmes politikave të punësimit sezonal, fondeve të ndara për gjetjen dhe mbështetjen e mundësive për punë sporadike dhe nga shtëpia të këtyre familjeve, masave të edukimit, apo rishikimit komplet të skemave të mbështetjes sociale, do të kujdesemi që të jemi pranë atyre që më së shumti kanë nevojë për dorën e publikes. Njëherazi do të mundësojmë shpërndarjen e kuponëve monetarë, që do të mund të shfrytëzohen nga ana e përfituesve të ndihmave sociale, ekskluzivisht për blerjen e produkteve ushqimore esenciale të prodhuara në Kosovë”, thuhet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë nga shoqëria civile, premtime të tilla po konsiderohen vështirë të realizueshme. Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani thotë se nuk mund të pritet mrekulli nga qeverisja në ardhje.
Demolli: Fjala “zhdukje” është shumë optimiste
“Fjalën ‘zhdukje’ nuk do e kisha përdor, mund të themi zbutje eventuale sepse zhdukje është shumë optimiste, përtej pritjeve që i ka dikush sot në Kosovë. Duke pasur parasysh një buxhet çfarë e kemi, jemi në një situatë shumë të rënduar me gjendjen ekonomike dhe shkaku i pandemisë. Kështu që, duhet të jemi të sinqertë qeveria nuk ka shkop magjik dhe që të plotësojë të gjitha kërkesat dhe nevojat që qytetarët i kanë. Prandaj, nuk do të thosha zhdukje, ndoshta mund të shohim ndonjë zbutje edhe atë në afat katërvjeçar të qeverisjes”, thotë ajo.
Për më tepër ajo thekson se ndër vite është shkatërruar edhe sistemi i drejtësisë, ku prioritet kryesor do të duhej të ishte luftimi i korrupsionit.
Demolli: Jemi shumë larg nga një vend që një investitor do të donte të investonte
“Ne kemi edhe listat ku raportet ndërkombëtare tregojnë se në çfarë renditje gjendet Kosova sa i përket korrupsionit. Dhe vërtetë jemi shumë larg nga një vend që një investitor potencial do të donte të investonte. Rasti i fundit sa i përket subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë ka treguar mjaft. Ka pasur mjaft subvencione nga shumë donatorë të ndryshëm dhe pamë si kanë përfunduar”, shton ajo.
Kështu mendon edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi. Madje ai thotë se Kosova e ka humbur hapin për zbutje të papunësisë dhe luftim të korrupsionit.
Azemi: Informaliteti ka ndikuar që punëtorët të hezitojnë të punojnë
“Nga burokracia që e kemi pasur brenda për brenda dhe kërkimi i mjeteve ilegale te investitorët, i ka bërë që të ikin investitorët e jashtëm, të cilët është shumë vështirë të mbijetojnë. E keqja është se bizneset e brendshme po e shohin që nuk mund të zhvillohet një biznes si duhet edhe ata me kapitalin e tyre dhe po ikin shumë njerëz. Edhe informaliteti i madh e ka bërë të vetën që punëtorët shpeshherë hezitojnë të punojnë sepse nuk mund të punohet pa kontratë pune dhe pa mbulueshmëri të Ligjit të Marrëveshjes Kolektive”, thekson ai.
Azemi shprehet se nuk janë të rralla rastet, ku si pasojë e shkeljes së ligjit nga ana e punëdhënësve, punëtorët nuk duan as të punojnë.
Azemi: Krijimi i kushteve për investime nga jashtë është elementare
“Krijimi i kushteve ose thithja e investitorëve të jashtëm, krijimi i kushteve për investitorë të jashtëm është hapi më elementar, të cilën sigurisht se me kapitalin e jashtëm do të krijohen vendet e reja të punës. Normalisht që do të rregullohet edhe standardi apo pozita e punëtorit. Kjo është diçka më elementare”, shton ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2019 ka qenë 22,6 përqind. Ndërkaq, në një përgjigje për KosovaPress nuk kanë dërguar të dhëna edhe për vitin e kaluar për shkak të përgatitjeve për regjistrim të popullsisë. Ndryshe, papunësia mbetet gati me të njëjtat shifra si para shpalljes së pavarësisë dhe pas saj.