×
  • Lajme
  • Lajme

    Premtimet e parealizuara të kryeministrit Albin Kurti, sektori privat në “mëshirën e fatit”

    FrontOnline
    22 Dhjetor 2024

    Sigurim të kushteve të dinjitetshme të punës, çdo vend pune me kontratë, kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë punë të rregulltë në javë, pesëfishim i numrit të inspektorëve të punës, fuqizim i bashkëpunimit me Sindikata dhe ndihmë për organizim sindikal, etj.

    Këto janë disa nga premtimet e Albin Kurtit në zgjedhjet e vitit 2021, të cilat nuk janë realizuar apo pjesërisht janë realizuar për 4-vite mandat si kryeministër i Kosovës, raporton portali FrontOnline.

    Punëtorët e sektorit privat, kryesisht në ndërtimtari vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune dhe pa masa mbrojtëse, ka mungesë të inspektorëve të punës, përderisa bashkëpunimi me Sindikata është në nivelin zero, pasi që këto të fundit vazhdimisht sulmohen me deklarata nga vet kryeministri, por edhe nga anëtarët e kabinetit të tij.

    Kryetari i Sektorit privat: 27 herë kam kërkuar takim me kryeministrin Kurti, por nuk kemi mundur ta takojmë

    Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat, ka shprehur shqetësimin e tij për dështimin e Qeverisë “Kurti” në realizimin e premtimeve të bëra për përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurinë e punonjësve gjatë këtij mandati katërvjeçar. Ai ka theksuar se, pavarësisht angazhimeve të bëra nga Qeveria, shumë prej premtimeve kyçe nuk janë përmbushur dhe punonjësit ende përballen me kushte të pasigurta dhe pa mbrojtje adekuate.

    Azemi ka përmendur një nga premtimet kryesore të Qeverisë, atë për sigurimin e kontratave të rregullta të punës për të gjithë punonjësit. Ai ka theksuar se kjo ka mbetur një çështje e pazgjidhur për shumë punonjës, përfshirë ata të Kuvendit dhe punonjësit teknikë, të cilët pas shumë viteve punë ende nuk kanë kontrata të rregullta.

    ‘’ Çdo punëtorë me kontratë pune, punëtorët e kuvendit, punëtorët teknikë që kanë pasur kontrata pune dhe pas 25 viteve ky kryeministër me bashkëpunëtoret e vet sot i kanë lënë në rrugë, edhe përkundër asaj që Inspektorati i Punës e ka obliguar pronarin e kompanisë t’I kthej në Kuvend ‘’, tha Azemi për FrontOnline.

     

    Një tjetër premtim që Azemi ka kritikuar është ai për kufizimin e orëve të punës në 40 orë në javë. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur në realitet, pasi punonjësit e sektorëve të ndryshëm, sidomos ata që punojnë në sektorin e sigurisë fizike, vazhdojnë të punojnë orë të tepërta, shpesh deri në 180-200 orë në muaj, ndërkohë që paguhen vetëm për 160 orë pune

    ‘’ 40 orë punë tani realisht unë nuk kam ndonjë informacion se është dënuar për shkak se kanë punuar ndodh që punojnë  punëtorët e sigurimit fizik edhe me 180-200 orë në muaj dhe paguhen sigurt të punojnë 160 orë’’, u shpreh Azemi.

    Azemi ka përmendur gjithashtu marrëdhëniet e tensionuara mes sindikatave dhe Qeverisë, duke theksuar se asnjëherë nuk janë konsideruar si partnerë të vërtetë, por më shumë si armiq. Ai ka deklaruar se, përkundër përpjekjeve të shumta për të takuar kryeministrin dhe diskutuar çështjet që shqetësojnë sektorin privat, nuk ka pasur asnjë mundësi për të arritur një takim konstruktiv. Azemi ka kërkuar takim me kryeministrin 27 herë gjatë mandatit të tij, por, sipas tij, nuk ka pasur asnjë mundësi për të diskutuar problemet dhe shqetësimet që kanë punonjësit dhe sindikatat.

    ‘’ Unë kam kërkuar të takohem me kryeministrin 27 herë dhe nuk e kemi pasur rastin asnjëherë të takohemi për gjërat që e shqetësojnë sektorin privat të Kosovës’ ’,përfundoi Azemi.

     

    Kryetari I AKB-së: Më shumë ka pasur në këtë mandat fotografi sesa partneritet mes Qeverisë dhe sektorit privat

    Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka theksuar se përkundër premtimeve të shumta, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmirësuar kushtet e punës. Ai ka kritikuar ashpër shuarjen e Këshillit Ekonomik Social, i cili ishte një organ i rëndësishëm për trajtimin e temave si kontratat e punës, orari dhe kushtet e punës, duke përfshirë marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve.

    Për më tepër, ai ka shtuar se sektori privat ka bërë përpjekje për të siguruar një trajtim më të mirë dhe më dinjitoz për punonjësit, duke ndikuar kështu në ngritjen e kulturës së punës dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e biznesit dhe përmirësimin e kushteve për punonjësit.

    ‘’Kushtet e dinjitetshme të  punës po i arriti vet sektori privat për shkak të kushteve që u duhen punëtoreve sepse ata duhen trajtuar mirë dhe kjo po e bën që kultura e punëdhënësve është ngritur për trajtim të dinjitetshëm të punëtoreve’’, u shpreh Shahini.

    Shahini ka kritikuar Qeverinë për mungesën e partneritetit dhe dialogut të vërtetë, duke theksuar se sindikatat dhe organizatat ekonomike kanë mbetur jashtë procesit të dialogut social-ekonomik.

    ‘’Më shumë ka pasur në këtë mandat fotografi sesa partneritet, sindikatat mbeten po ashtu jashtë dialogut social-ekonomik siç mbesin edhe organizatat ekonomike’’, përfundoi Shahini.

     

    Kryetari i Lidhjes së Bizneseve: Mosbashkëpunimi i qeverisë me përfaqësuesit e bizneseve ka krijuar ambient të vështirë të punës

    Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka theksuar se mosbashkëpunimi i Qeverisë me përfaqësuesit e bizneseve ka krijuar një ambient të vështirë për realizimin e politikave të punësimit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Dreshaj ka deklaruar se, në vend të një dialogu të hapur dhe bashkëpunimi konstruktiv, ka pasur një distancim të dukshëm mes institucioneve dhe sektorit privat, çka ka rritur tensionet dhe ka penguar zhvillimin e një tregu të punës më të drejtë dhe më të balancuar.

    ‘’ Mosbashkëpunimi i qeverisë me përfaqësuesit e bizneseve ka krijuar një ambient të vështirë për realizimin e politikave të punësimit dhe të drejtave të punëtorëve. Në vend të një dialogu të hapur dhe bashkëpunimi konstruktiv, ka pasur një distancim të dukshëm mes institucioneve dhe sektorit privat, duke rritur tensionet dhe duke penguar zhvillimin e një tregu të punës më të drejtë’’, tha Dreshaj për FrontOnline.

    Dreshaj ka sugjeruar një alternativë për përmirësimin e situatës, duke nënvizuar rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit me sindikatat dhe mbështetjes për organizimin sindikal. Sipas tij, sindikatat janë një instrument kyç për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e transparencës dhe drejtësisë në punë.

    ‘’ Një alternativë që mund të ndihmojë në përmirësimin e situatës është fuqizimi i bashkëpunimit me sindikatat dhe mbështetje për organizimin sindikal. Sindikatat janë një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe mund të luajnë një rol kyç në rritjen e transparencës dhe drejtësisë në punë’’, tha Kryetari I Lidhjes së Bizneseve.

    Ai ka theksuar se Qeveria mund të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për sindikatat, duke ofruar mbështetje për organizimin e tyre dhe duke siguruar kushte ligjore për negociata kolektive efektive.

    ‘’ Qeveria mund të nxisë krijimin e një ambienti më të favorshëm për sindikatat, duke ofruar mbështetje për organizimin e tyre dhe duke krijuar kushte ligjore për negociata kolektive efektive’’, theksoi Dreshaj.

    Dreshaj ka përfunduar se një bashkëpunim më i ngushtë midis Qeverisë, sindikatave dhe përfaqësuesve të bizneseve mund të krijojë një sistem më të qëndrueshëm dhe më të drejtë, ku të drejtat e punëtorëve dhe nevojat e biznesit mund të balancohen në mënyrë efektive.

    ‘’ Një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë, sindikatave dhe përfaqësuesve të bizneseve mund të krijojë një sistem më të qëndrueshëm, ku të drejtat e punëtorëve dhe nevojat e biznesit mund të balancohen në mënyrë efektive’’, përfundoi Dreshaj./FrontOnline/

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj ministrit Murati i cili dje foli rreth subvencionimit të faturave të energjisë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Starlink është funksional tani edhe në territorin e Kosovës. Ai ka thënë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Festat e fundvitit kanë rritur edhe çmimet në treg. Kështu thonë qytetarët të cilët ankohen se çmimet e produkteve në prag të...
    Të tjera
    Lifestyle22 Dhjetor 2024
    Në kuadër të vapës përvëluese të verës dhe temperaturave të larta, për shumicën dërrmuese përdorimi i klimës është bekim. Po ashtu edhe...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Një numër i madh i bashkëatdhetarëve po vijnë në Kosovë për t’i kaluar festat e fundvitit në gjirin e tyre familjar. E...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sot mbi Kosovë do të mbajë një mot i vranët, por do të ketë edhe intervale me diell. Temperaturat ditën e diele...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se është nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’ në skenën e Festivalit është krijuar një emocion i veçantë, kur...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Banorët e “Big Brother Vip Kosova 3”, kanë diskutuar lidhur me Xuxin. Ata besojnë se Xuxi ka ardhur për t’i “rikthyer” paratë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.