Analisti politik Xhevdet Pozhari, ka komentuar reagimin mediave ndërkombëtare për gjuhën e përdorur gjatë zgjedhjeve te Kurtit, ku vuri në dukje se të gjitha subjektet politike janë gjobitur me mbi 600,000 euro për shkelje, një sinjal se nuk do të tolerohet një gjuhë e papërshtatshme ndaj kundërshtarëve politikë. Ai theksoi se e njëjta gjë vlen edhe për kryeministrin, i cili menjëherë pas fitores mund të kishte qenë më i kujdesshëm dhe më përzgjedhës në shprehjet e tij ndaj rivalëve politikë.
‘’Sa i përket gjuhës së Kurtit gjatë zgjedhjeve, të gjitha subjektet politike kanë marr gjoba mbi 600,000 euro gjë që ka qenë një sinjal se nuk do të tolerohet një gjuhë, e cila është jo e përshtatshme për kundërshtarët, rivalët politik.E njëjta vlen edhe për gjuhën e kryeministrit që e përdori menjëherë pas fitores ngaqë mund të ishte më i kujdesshëm, më selektiv me shprehje në adresimin e tij kundrejt kundërshtarëve politikë’’, deklaroi Pozhari për FrontOnline.
Pozhari gjithashtu shtoi se raportimet e mediave ndërkombëtare mund të pasqyrojnë edhe preferencat e tyre, pasi, duke marrë parasysh zhvillimet globale, ekziston një tendencë për të mbështetur Qeveri më pragmatike dhe më pak rezistente ndaj faktorit ndërkombëtar.
‘’Sa i përket raportimeve të mediave ndërkombëtare ato sigurisht që mund t’i kenë edhe preferencat e tyre, ngaqë shikuar nga këndvështrimi i zhvillimeve globale të gjithë duan një qeveri më pragmatike që është më pak rezistente ndaj faktorit ndërkombëtar’’, dekaroi Pozhari.
Sipas tij, gjatë katër viteve të tij në pushtet, Kurti ka treguar këmbëngulje në çështje të ndjeshme, siç është situata në veri, ndaj është e pritshme që ndërkombëtarët të presin një qeveri më të bindur dhe më pragmatike
‘’Kurti ka dëshmuar gjatë katër vite të qeverisjes së tij se di të jetë këmbëngulës në raste të ndjeshme siç ka qenë tema e veriut prandaj është e pritshme që ndërkombëtarët të presin një qeveri që do të jetë më e bindur dhe më pragmatike’’, përfundoi Pozhari.
Fjalori i ashpër i Kurtit ndaj opozitës dhe “shuplaka” nga mediet botërore