Polonia ka shënuar rekord të rasteve të reja të koronavirusit për ditën e dytë rresht me 8.099 raste për 24 orë.
Kështu, numri i përgjithshëm i personave të infektuar në vendin e Evropës Qendrore shkoi në 149.903, shkruan Reuters. Përpos infektimeve, në Poloni deri më tani nga Covid-19 kanë vdekur 3.308 persona.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitale ndodhen 6.538 pacientë me Covid-19, prej të cilëve 508 janë në ventilatorë.
Këto shifra janë më të larta në krahasim me një ditë më herët, kur në spitale ndodheshin 6.084 pacientë, prej të cilëve 467 në ventilatorë.
Zyrtarët qeveritarë thanë të enjten se mund të pritet rritje e numrit të rasteve edhe më tutje dhe vendosje e masave të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.
Qeveria e Polonisë vazhdimisht ka thënë se dëshiron të shmang një izolim të dytë, i cili do të ishte i dëmshëm për ekonominë, por mund të marrë masa të caktuara, nëse vazhdon shtimi i rasteve.