×
  • Opinione
  • Opinione

    Politika e tarifave e Trumpit nuk ka të bëjë fare me tregtinë

    Chris Murphy
    17 Prill 2025

    Nga: Chris Murphy / The Daily Telegraph

    Ekonomistët dhe analistët kanë kaluar dy javët e fundit duke u përpjekur me ngulm të deshifrojnë qëllimin përfundimtar të presidentit Donald Trump përkitazi me tarifat. Lëvizja e papritur e javës së kaluar, ku ai pezulloi shumicën e tarifave për 90 ditë, erdhi pasi Shtëpia e Bardhë kishte kaluar ditë të tëra duke këmbëngulur se tarifat nuk ishin për negociata, por një strategji afatgjatë për të ringjallur bazën industriale të ShBA-së dhe për të kthyer vendet e punës. Megjithatë, ka një arsye të thjeshtë pse tarifat jetëshkurtra të Trumpit nuk kanë shumë kuptim ekonomik: ato nuk janë krijuar si një politikë ekonomike, por si një mjet për të detyruar besnikëri ndaj presidentit.

    Kur kombinohen me një politikë të zgjuar industriale vendase, tarifat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e vendeve të punës dhe produkteve amerikane. Por, këto tarifa të përgjithshme globale, të dizajnuara në mënyrë kaotike, nuk po arrijnë asgjë tjetër përveçse po kërcënojnë të rrisin çmimet dhe të destabilizojnë ekonominë globale. Kjo ka kuptim, sepse duket se qëllimi i Trumpit është të imponojë një kaos ekonomik, duke detyruar drejtuesit e industrisë t’i drejtohen atij për të kërkuar lehtësime.

    Sipas disa raportimeve, Trumpi e ka pranuar se nuk shqetësohet nëse politikat e tij shkaktojnë recesion, përderisa ato nuk çojnë në depresion [krizë të madhe ekonomike]. Mesa duket, ai nuk e mban mend e gjatë Recesionit të Madh të vitit 2008 u humbën gati nëntë milionë vende pune dhe 10 milionë amerikanë humbën shtëpitë e veta për shkak të konfiskimit. Por, këto tarifa nuk kishin kurrë si qëllim real që të ndihmonin klasën punëtore, të sillnin vendet e punës sërish në ShBA apo të rregullonin sistemin e prishur të tregtisë globale. Pezullimi 90-ditor është prova e kësaj.

    Sa fabrika të reja apo vende pune po krijohen që të justifikojnë vënien në rrezik të planeve të pensionit të amerikanëve? Cilat janë 75 shtetet me të cilat Trumpi po negocion? A kanë ofruar kushte që do t’u shërbenin punëtorëve amerikanë dhe jo vetëm interesave të veçanta? Apo, këto tarifa janë thjesht një mjet për të vënë kompanitë amerikane nën presion, derisa të dorëzohen?

    Merrni si shembull Apple-in. Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, fantazoi për një “ushtri me miliona e miliona njerëz që fusin vidhat e vogla për të bërë iPhone-in” që “do të kthehej në Amerikë”. Vetëm pak ditë më vonë, Apple mori një përjashtim nga tarifa reciproke prej 145 për qind e Trumpit – mbi telefonat inteligjentë, kompjuterët portativë, hard-disqet, procesorët, serverët dhe çipat e memories nga Kina. Tim Cook, i cili personalisht dhuroi një milion dollarë për komitetin e inaugurimit të Trumpit, ka marrëdhënie të mira me presidentin. Lutnick më vonë sqaroi se Apple ishte përjashtuar nga tarifat “reciproke”, por jo nga tarifat që do të shpalleshin së shpejti për gjysmëpërçuesit, gjë që garanton se Apple do të vazhdojë të ushtrojë ndikim mbi administratën.

    Nëse e kupton veprimin e Trumpit si përdorim i pushtetit ekzekutiv për të detyruar në bashkëpunim institucionet që përndryshe do të ndalonin rrëshqitjen drejt autokracisë, atëherë është e lehtë të shohësh se si tarifat përshtaten me këtë plan. Disa mund të mos duan ta besojnë, por duket se Trump po ndërmerr një fushatë sistematike për të shkatërruar çdo institucion që mund t’i qëndrojë përballë.

    Ai tashmë ka sulmuar tri shtylla kryesore të demokracisë amerikane. Ka kërcënuar se do të ndërpresë financimin federal për universitetet – si qendra të kërkimit akademik dhe të protestës rinore; po sulmon firmat më të mëdha ligjore duke i përjashtuar nga kontratat qeveritare dhe duke ua hequr avokatëve të tyre autorizimet e sigurisë; dhe, po përpiqet të heshtë gazetarët duke ua mohuar qasjen në objektet qeveritare, përveç rasteve kur përdorin gjuhë të miratuar paraprakisht nga Shtëpia e Bardhë.

    Tani po përdor tarifat për të detyruar kompanitë dhe industritë që të vijnë në Shtëpinë e Bardhë për t’u lutur për lehtësime. Çdo kompani apo industri do të detyrohet, me shumë gjasë, të bëjë lëshime në këmbim të këtyre përjashtimeve. Gjatë pezullimit pritet që drejtuesit ekzekutivë të paraqiten, njëri pas tjetrit, për të kërkuar që kompanitë e tyre të përjashtohen nga tarifat. Ndoshta këto lëshime janë në natyrë financiare, por më së shumti pritet të jenë politike. Shumica e këtyre marrëveshjeve do të mbeten të fshehta për publikun.

    Sapo Trump të ketë nën kontroll shumicën e firmave ligjore, universiteteve, organizatave mediatike dhe kompanive private, do të bëhet pothuajse e pamundur, për çdo formë opozite, të fitojë ndonjë terren. Departamenti i Drejtësisë, i përdorur si armë, mund të arrestojë protestuesit dhe do të ketë gjithnjë e më pak avokatë që do t’i mbrojnë. Do të rrezikohen hulumtimet universitare dhe diskutimet akademike që kundërshtojnë ideologjinë e Trumpit. Teksa sundimi i ligjit rrënohet, kompanitë private nuk do të kundërshtojnë. Kjo nuk është ndonjë strategji e re apo novatore – është një manual i përdorur gjerësisht nga liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike të cilët synojnë të qëndrojnë në pushtet përgjithmonë.

    Të aktivizosh e çaktivizosh tarifat dhe të japësh përjashtime për aleatët politikë, kjo nuk ka të bëjë me politikën tregtare. Kjo ka të bëjë me nënshtrimin e industrisë amerikane. Indinjata publike ka shumë më tepër gjasa të ndalojë përpjekjen e Trumpit për të shkatërruar demokracinë, nëse të gjithë mund ta shohin qartë planin që ai po përpiqet të fshehë. /Telegrafi/

    Rrini gati – Festivali Sunny Hill zbulon sonte të gjithë artistët
    Nga Rubrika
    Opinione17 Maj 2025
    Nga: Gjeneral Piro Ahmetaj  Siç është gjerësisht e mirën johur, nesër, dt. 16 maj Tirana ka nderin të mikëpresë takimin e 6...
    Opinione16 Maj 2025
    Nga: Jorgji Kote Po, vërtet pa identitet insti tucional ka mbetur Komuniteti Politik Europian (KPE), i cili u krijua në qershor 2022,...
    Opinione15 Maj 2025
    Shkruan: Blerim Shala Edhe pse jemi në fillim të muajit maj, apo, nuk kemi mbërri as në fund të gjysmës së parë...
    Të tjera
    Lajme17 Maj 2025
    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian është takuar me presidentin francez, Emmanuel...
    Lajme17 Maj 2025
    Presidentja Vjosa Osmani i ka uruar fitore sonte Shkodrës Elektronike në festivalin e këngës Eurovision. Në një postim në Facebook, ajo ka...
    Bota/Rajoni17 Maj 2025
    Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se me homologun e tij francez, Sebastien Lecornu, kanë...
    Bota/Rajoni17 Maj 2025
    Me tensione dhe përplasje është shoqëruar numërimi i votave të Diasporës në Lezhë. Teksa procesi ka përfunduar, momentet e fundit kanë pasur...
    Bota/Rajoni17 Maj 2025
    Një mision shpëtimi në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në malin Eiger në Alpet Zvicerane, pas një orteku që ka...
    Lajme17 Maj 2025
    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar sot suspendimin e një zyrtareje të Policisë së Kosovës, e cila dyshohet për përfshirje në...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.