Policia thotë se PSD nuk i lajmëroi për aksionin para Qeverisë: U lënduan dy zyrtarë të PK-së
Policia e Kosovës ka thënë se PSD sot e ka mbajtur aktivitetin para qeverisë pa i lajmëruar organet kompetente.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se edhe pse këtij grumbulli të personave iu është bërë e ditur se veprimet e tilla janë të palejuara, ata kanë shpërfillur urdhrat e policisë.
Të njëjtët bëjnë të ditur se si pasojë dy zyrtarë të policisë janë lënduar.
“Sot rreth orës 12:15 në shesh në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Përkundër faktit që këtyre personave u është bërë e qartë nga policia se veprimet e tilla janë të palejuara, të njëjtit duke shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, me veprimet dhe sjelljet e tyre kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrës zyrtare. Si pasoj e veprimeve të lartcekura dy zyrtar policor kanë pësuar lëndime të lehta përderisa në objektin e Qeverisë janë vendosur grafitë”, thonë nga policia.
“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit”, ka thënë Ahmeti.