Policia ka publikuar pamjet nga xhirimet e filmit Rust para dhe pas vrasjes së Halyna Hutchins. Sherifi i Santa Fe, Adan Mendoza postoi gjithashtu foto të skenës së krimit dhe intervista me dëshmitarë, përfshirë atë me aktorin Alec Baldwin.
Por policia tha se vendimi nëse do të depozitohej ankesë penale do të varet nga rezultati i analizës së radhës mjeko-ligjore.
Baldwin e qëlloi për vdekje kameramanen Halyna Hutchins, 42 vjeçe, ndërsa tha se po stërvitej me një armë që besonte se ishte e sigurt. Aktori, i cili ishte edhe producent i filmit, tha më herët se nuk e ka tërhequr këmbëzën dhe se nuk e ka idenë se si shkrepi arma, shkroi agjencia kroate e lajmeve, Index.
Pamjet e publikuara sot tregojnë policinë dhe ambulancat që kishin shkuar në vendngjarje. Në pamje të tjera, Baldwin shfaqet i veshur si kauboj duke ushtruar me armë.
Mendoza tha në një deklaratë se hetimi për vrasjen “mbetet i hapur dhe në vazhdim”. Ai tha se disa komponentë të hetimit mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë mjekësinë ligjore të armëve të zjarrit, analizën e gjurmëve të gishtërinjve, raportin e ekspertit dhe analizën e të dhënave telefonike të Baldwin.
“Pasi këto komponentë hetimorë të dorëzohen në zyrën e sherifit, ne do të jemi në gjendje ta përfundojmë hetimin për t’ia kaluar atë prokurorit të qarkut Santa Fe”, tha ai për New York Times.
Njoftimi vjen një javë pasi autoritetet dënuan prodhuesit e filmit për shkelje të protokolleve të sigurisë dhe i gjobitën me 136,793 dollarë. Një hetim nga Departamenti i Mjedisit në New Mexico zbuloi se krijuesit e filmit “shprehën indiferencë ndaj rreziqeve që lidhen me përdorimin e armëve të zjarrit”.