Policia e Kosovës në Fushë Kosovës ka gjetur gjatë ditës së sotme në një banesë në Fushë Kosovë një grua e cila ka qenë në prag që të kryejë vetëvrasje.
Informatën Policia e ka marrë nga një burrë i cili ka raportuar se bashkëshortja e tij ka dy ditë që nuk po lajmërohet në telefon dhe as nuk po e hapë derën e banesës.
“Në Fushë Kosovë, një person mashkull ka lajmëruar Policinë e Kosovës se gruaja e tij qe dy ditë nuk lajmërohet në telefon dhe nuk e hapë as derën e banesës. Policia menjëherë ka reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes dhe me asistencë edhe nga njësiti i zjarrfikësve kanë arrit të qasen në lokacion (banesë), ku me atë rast kanë hasur me personin e gjinisë femërore, e cila mbante një copë xhami në dorë, dhe e njëjta poashtu ka kërcënuar se nëse dikush i afrohet ajo do të bëjë vetëvrasje”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për portalin rtv21.
Ndërkaq, sipas Hoxhës, zyrtari policor, “falë shkathtësive të tij profesionale ka arrit të parandalojë më të keqen duke ia hequr copëzën e xhamit nga dora, megjithëse gjatë këtij intervenimi zyrtari policor ka marrë disa lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim te menjëhershëm mjekësor”.
Hoxha ka deklaruar se lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori dhe njësitet kompetente policore janë proces të marrjes së të gjitha masave operative dhe hetimore lidhur me këtë rast./Front Online/