Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt nga 08 marsi e deri më sot kanë shqiptuar 181 gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk e kanë vendosur rripin e sigurisë në veturë gjatë vozitjes.
Sipas një njoftimi për media, ky aksion ka filluar gjatë një operacioni policor të quajtur “ROADPOL”, apo “Java e rripit të sigurisë” e cila do të zgjasë deri më 15 mars.
Siç thuhet në njoftim, kjo është duke u bërë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor.
“Në kudër të këtij operacioni , nga data 08-10.03.2021 janë shqiptuar 181 gjoba trafiku për mos vendosje të rripit të sigurisë, ndërkohë që ky operacion do të vazhdon deri më 15.03.2021. Me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj nga data 08.03.2021 është duke zbatuar operacionin ‘’ROADPOL’’ (European Roads Policing Netëork) – Rrjeti Evropian i Policive Rrugore. Përkundër faktit që gjithnjë e më shumë, shoferë dhe pasagjerë të automjeteve po e përdorin rripin e sigurisë , kontrolli për vendosjen ose jo të rripit të sigurisë mbetet detyrë e rëndësishme për policinë. Policia e kupton domosdoshmërinë e zbatimit të kësaj mase , e cila ndërmerret jo vetëm në kuadër të këtij operacioni , por në vazhdimësi gjatë gjithë vitit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit, këto aktivitete do të ndërmerren nga të gjitha stacionet policore dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit rrugor të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Policia e Kosovës po ashtu bën me dije se me vendosjen e rripit të sigurisë do të zvogëlohet rreziku i lëndimeve të rënda dhe me pasoja fatale.
“Mos vendosja e rripit të sigurisë mund të rrisë shumë rrezikun e një lëndimi serioz gjatë përplasjes në ndonjë aksident komunikacioni dhe shton rrezikun për aksidente me fatalitet si dhe me lëndime trupore për drejtuesin e automjetit si dhe për pasagjerin. Me një veprim të thjeshtë, të vendosjes e rripit të sigurisë, do të zvogëloni rrezikun e lëndimeve të rënda dhe me pasoja fatale”, thuhet ndër të tjera në njoftim të policisë.