Në orët e para të së martes, Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona të cilët kanë qenë duke punuar në dyert e Komunës së Zveçanit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për klankosova.tv se qëllimi i këtyre personave nuk ka qenë bllokimi i komunës, por vendosja e “reshetkave” siç i ka quajtur ai.
“Rreth orës 1:00 në mëngjes patrullat policore kanë has në dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës së Komunës së Zveçanit. Për arsye të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe me qëllim të kuptimit se çfarë po bëjnë aty, këta dy persona janë sjellë në stacion dhe janë intervistuar. Të njëjtit janë liruar pas intervistimit”.
Tutje, ai ka shtuar se edhe në Komunën e Zubin Potokut dyert janë me grila, por kjo nuk do të thotë se palët nuk mund të hyjnë dhe dalin nga ndërtesa.