Policia e Kosovës dje ka kryer aksion kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në shtatë lokacione (lokale) në Skenderaj.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, me autorizim të prokurorit, në mbështetje të njësive të specializuara policore, ka zbatuar urdhëresën e gjykatës për kontrollin e disa lokacioneve nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të lartcekur.
“Gjatë operacionit janë kontrolluar 7 lokacione-lokale ku si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 4368.6 euro, 13 aparate të lojërave të fatit, 17 shtëpiza të kompjuterëve, 20 televizorë, 7 DVR, 12 printer, 3 telefona celulare, 9 biltena (libra te bastoreve), 5 dëftesa të basteve, tiketa të lojërave të fatit të shtypura fizikisht dhe kupon të printuara të basteve të ndryshme, fletore për shënime si dhe dëshmi tjera relevante për rastin”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin janë intervistuar shtatë meshkuj të dyshuar kosovarë, të cilët pas intervistimit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.