Migrantët në atë që tashmë njihet si Rruga Ballkanike e migrantëve, dyshohet se ishin fshikulluar, grabitur dhe, në një rast, abuzuar seksualisht nga anëtarët e policisë kroate, njoftoi të mërkurën gazeta britanike “The Guardian”.
Sipas raporteve nga Këshilli danez i Refugjatëve, bazuar në dëshmitë e migrantëve që ishin shënjestra e sulmeve të pretenduara midis 12 dhe 16 tetorit, autorët e krimit ishin anëtarë të forcës policore kroate, ndërsa dhuna e pretenduar ndodhi përgjatë kufirit me Bosnjë dhe Hercegovinën.
“The Guardian” hasi në foto dhe raporte mjekësore që punëtorët humanitarë i përshkruajnë si “të bezdisshme” dhe “tronditëse”.
“Dëshmitë e mbledhura nga viktimat janë të tmerrshme”, tha Charlotte Slente, sekretare e përgjithshme e Këshillit danez për Refugjatë. “Më shumë se 75 njerëz në një javë të gjithë raportuan në mënyrë të pavarur trajtim çnjerëzor, egërsi dhe madje abuzim seksual”.
Sipas raporteve nga migrantët, ata u “shtynë” në territorin kroat në kufijtë afër Velika Kladusha në Bosnjë e Hercegovinë, pranë Shilkovaçit, një vendbanim në çadra me rreth 700 refugjatë dhe migrantë.
Një shembull i abuzimit seksual përmendet në pjesën e raportit bazuar në dëshminë e një grupi migrantësh afganë, shkruan e përditshmja britanike.
I pyetur nëse Komisioni Evropian kishte një mënyrë për të verifikuar pretendimet e OJQ-ve për trajtimin çnjerëzor të migrantëve nga policia kroate dhe kthimin e tyre me forcë, Komisionerja e Komisionit të Brendshëm, Ylva Johansson, tha se ajo ishte e shqetësuar për raportet.
“Unë jam e shqetësuar për këto raporte. Nuk ka të bëjë vetëm me Kroacinë, ne kemi raporte për kthime të dhunshme nga disa vende në kufijtë e jashtëm”, u tha Johansson gazetarëve të mërkurën, njoftoi Hina.
Kjo nuk është hera e parë që policia kroate akuzohet për trajtim brutal të migrantëve. Pretendime të tilla janë bërë më parë nga një numër i organizatave joqeveritare.
Pala kroate në përgjithësi mohon trajtimin çnjerëzor të migrantëve. Në qershor, u njoftua se policia e Karlovaçit kishte sanksionuar dy oficerë policie nën dyshimin se njëri prej tyre kishte plagosur lehtë një të huaj të kapur në mënyrë të paligjshme në Kroaci, pa e ndaluar tjetri ta dëmtonte migrantin ose ta raportonte, sipas policisë kroate.