Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, pas angazhimeve operative dhe hetimore në terren dhe në koordinim me institucionet kompetente ligjzbatuese, më datën 21.10.2024, në rrugën magjistrale Fushë Kosovë – Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me substanca narkotike.
Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 euro.
Lidhur me rastin, Policia njofton se në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.
Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,
Një veturë me targa vendore,
1445 (një mijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro),
8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë),
Dy telefona celularë,
17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.
“Në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftimin e Policisë.