Një djalë njëvjeçar është qëlluar për vdekje në një incident ku ishte e përfshirë policia kanadeze. Policët hapën zjarr në drejtim të veture që dyshohej se është e një rrëmbyesi të fëmijës.
Hetuesit ende nuk kanë zbuluar nëse fëmija i vogël është vrarë nga policia apo nga rrëmbyesi i dyshuar, shkruan The Guardian.
“Është shumë herët që ta dimë pse zyrtarët e qëlluan veturën dhe është shumë herët të dimë saktësisht çfarë ka ndodhur”, tha para gazetarëve Monica Hudon, zëdhënëse e inspektoratit rajonal policor.
Në mëngjesin e së enjtes, policët u njoftuan se në Ontario ka një mosmarrëveshje familjare ku është përdorur arma dhe ku dyshohet për rrëmbimin e fëmijës nga babai i tij, shkruan The Guardian.
Një banor i tha një faqeje të lajmeve se një grua, djali i saj dhe një terapist trokitën në derën e personit të dyshuar për të kërkuar strehim.
Policia së shpejti e gjeti vendndodhjen e veturës së personit të dyshuar, e cila lëvizte në një rrugë në zonë rurale. Pasi policia u përpoq ta ndalonte atë, vetura u përplas me automjetin e policisë dhe një veturë tjetër. Një polic që ishte duke qëndruar afër veturës zyrtare u godit dhe u lëndua.
Më pas, tre policë qëlluan me armë në drejtim të veturës së dyshuar, thuhet në raportin e Njësisë Speciale të Hetimeve. “Brenda veturës ishte një fëmijë njëvjeçar. Ai kishte pësuar një plagë nga arma dhe u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.