Policia e Kosovës ka dhënë detaje për përleshjen me armë zjarri në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, raporton Front Online.
Sipas zëdhënëses së PK-së, Flora Ahmeti, nga kjo përleshje janë lënduar 5 persona mes tyre edhe 2 zyrtarë policorë.
“Sot rreth orës 14:00, policia ka marrë informacionin për një sulm ndaj personave zyrtar në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit ndërsa nga përleshja fizike lëndime trupore kanë pësuar 5 persona prej tyre dy zyrtarë policor. Të gjithë janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë për Front Online, zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti.
Sipas saj, policia ka arrestuar dy persona si dhe kanë nisur hetim edhe me Inspektoratin për të sqaruar rastin.
“Hetuesit kanë shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar si dhe në koordinim me Inspektoriatin Policor të Kosovës, kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, ka thënë ajo për Front Online.