Policia ka dhënë detaje lidhur me djegien e tre shtëpive në fshatin Novak të Prizrenit.
Sipas njoftimit në Facebook, policia thotë se zjarri që fillimisht u ndez në shkurre, është përhapur dhe më pas janë djegur tre shtëpi që gjendeshin afër.
Shtëpitë janë të pabanuara dhe janë pronë e qytetarëve serbë/kosovarë. Siç thotë policia, në përgjithësi ajo lagje është e pabanuar, por në fshat ka disa banorë serbë dhe shqiptarë.
“Me datë 11.08.2024, rreth orës 19: 25 është raportuar për një zjarr në fshatin Novak, KK Prizren. Patrullat policor të Stacionit Policor Prizren veri menjëherë kanë shkuar në vend ngjarje prej nga janë informuar se pasi që kanë marrë zjarr shkurret (peregji ) në afërsi të shtëpive, zjarri fushor është pahapur dhe janë djegë edhe tre shtëpitë që gjendeshin aty afër. Të tre shtëpitë ishin të pabanuara dhe janë pronë e qytetarëve Serb /Kosovar, në përgjithësi ajo lagje është e pabanuar por në fshat ka disa banor Serb dhe Shqiptar. Në shuarjen e zjarrit fillimisht është angazhuar me cisternat e saj një kompani vendore e cila e ka bazën aty afër e më pas edhe zjarrfikësit. Zjarri është arrit që të shuhet. Nga shikimi i parë duket se zjarri ka filluar në shkurre pak më larg shtëpive por duke marrë parasysh se lagia në përgjithësi e edhe oborret e shtëpive janë të pabanuara, kanë pasur bimësi dhe shkurre të shumta e të thara për shkak të motit, andaj edhe zjarri është përhap shpejt”, thotë policia.
Më tej bëhet e ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit , e në vend ngjarje kanë dalë edhe hetuesit e stacionit dhe hetuesit nga Sektori Rajonal Hetimeve si dhe eproret e stacionit dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë, njofton Klankosova.tv.
Për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar, por pritet raporti i ekspertëve të zjarrit që të shpjegojnë se si ka ardhur dhe ku ka filluar zjarri.
Rasti do të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve nga DRP Prizren.