Policia e New Yorkut po kërkon të enjten personin që qëlloi për vdekje Brian Thompson, drejtues i kompanisë amerikane të sigurimeve “UnitedHealth”.
I dyshuar e ka qëlluar të ndjerin jashtë një hoteli në Midtown Manhattan dhe u pa për herë të fundit duke ikur në Central Park.
Thompson, u qëllua nga pas të mërkurën në mëngjes nga një person i maskuar. Sulmi me armë erdhi pak përpara konferencës vjetore të investitorëve të kompanisë në Hilton në Sixth Avenue.
Hetuesit nuk kanë identifikuar ende të dyshuarin dhe janë në kërkim të një motivi, tha Departamenti i Policisë së qytetit të New Yorkut gjatë një konference për shtyp të mërkurën në mëngjes. Që atëherë ata nuk kanë dhënë asnjë informacion tjetër.
Një video e kamerave të sigurisë tregoi sulmuesin, duke ngritur pistoletën dhe duke qëlluar në shpinë 50-vjeçarin, Thompson. Policia tha se personi i armatosur mbërriti jashtë hotelit disa minuta përpara Thompson dhe priti që ai të kalonte përpara se të qëllonte.
I dyshuari, i veshur me xhup dhe me një çantë shpine gri, iku në këmbë përpara se të hipte në një biçikletë elektrike dhe të ikte në Central Park, tha policia.
UnitedHealth është kompania më e madhe e sigurimeve shëndetësore në ShBA. Thompson, 50 vjeç, kishte qenë shef i UnitedHealthcare, që nga prilli i vitit 2021, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.