Policia e Kosovës, në mëngjesin e së mërkurës, ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.
Para ndërtesës së Postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe Radio Evropa e Lirë raporton se aktualisht zyrtarë të Policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve.
Aktualisht, punonjësit e të dyja institucioneve janë duke u larguar nga objektet.
Degë të tjera të kësaj poste ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar – në një lëvizje të kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që në atë kohë ishin shprehur “thellësisht të zhgënjyer” dhe e kishin quajtur aksionin të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Edhe shumë institucione të tjera serbe janë mbyllur gjatë aksioneve të ndërmarra nga Policia e Kosovës vitin e kaluar. Aksione të tilla vazhduan edhe këtë vit.
Por, Radio Evropa e Lirë ka raportuar gjatë kësaj jave për mënyrat se si puna e këtyre institucioneve paralele serbe po vazhdon, edhe pas mbylljes së tyre.
Policia e Kosovës më 8 janar mbylli Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia – Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.
Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj janë mbyllur organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë kanë funksionuar në sistemin e Serbisë.