Një efektiv policie i forcave të FNSH-së në Shkodër është ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Lezhë-Milot, në zonën e Gajushit.
Xhulio Prela, 26 vjeç, nga Rrila e Lezhës ka qenë duke lëvizur me makinë në momentin që është ekzekutuar me armë zjarri rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm.
Pas ekzekutimit të Prelës, makina tip “Volkswagen” ka ecur për 300 metra dhe më pas ka dalë jashtë rruge duke përfunduar në një parcelë aty pranë. Ai është qëlluar me pistoletë TT duke marrë një plumb në pjesën e gjoksit, që ka qenë fatale për të.
Xhulio Prela po udhëtonte i vetëm me makinën e tij tip “Volkswagen” drejt Lezhës. Ai po kthehej nga aeroporti i Rinasit ku kishte dërguar disa të afërm, por që gjatë rrugës në aksin Milot-Lezhë, një person me një dritë në dore që ishte në anë të rrugës i ka bërë shenje që të ndalonte.
Në atë moment 26-vjeçari është ndaluar dhe ka hapur xhamin e makinës ky dyshohet se është konfliktuar me personin në fjalë. Në momentin kur ka tentuar të largohet efektivi i policisë është qëlluar me armë zjarri nga një tjetër person, që ndodhej në një tjetër makinë, ku njëri nga plumbat e ka prekur në pjesën e gjoksit dhe ka humbur kontrollin e makinës dalë jashtë rruge, duke përfunduar në një parcelë rreth 300 metra larg vendit ku është qëlluar, transmeton Syri.
Deri tani janë shoqëruar 15 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit të hetuesve në vendin e ngjarjes janë zbuluar 3 gëzhoja armë zjarri. Prela nuk njihej si problematik.
Prela, me origjinë nga Puka ishte student në Akademinë e Policisë Tiranë në vitin e 3-të. I ndjeri ka punuar dy vite në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa prej një viti ishte transferuar në FNSH-në Shkodër.