Një ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i shtyu ato për një afat të pacaktuar, pasi në mesin e muajit mars u patën konfirmuar rastet e para pozitive me COVID-19.
Përkundër faktit se tashmë janë liruar shumica e masave parandaluese të virusit korona dhe ka nisur të bie lakorja e të infektuarve, organizimi i zgjedhjeve për të parin e Podujevës duket se s’është as në rend, edhe pse KQZ dhe kandidatët për kryetar të kësaj komune janë gati kurdo që të shpallen.
Mosorganizimin e tyre hiç mirë s’po e pret Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që tashmë ka “deponuar” në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Kjo parti ka akuzuar presidentin Thaçi se po i mban peng këto zgjedhje, pasi që siç kanë thënë zyrtarë të saj, për t’i larë borxhet ndaj LDK-së.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), vazhdimisht janë shprehur se kurdo që ato caktohen, ky institucion është në gatishmëri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Po ashtu, kanë thënë se caktimi i tyre bëhet nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Në anën tjetër, kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për GazetaBlic e ka quajtur kryekëput politik vendimin që këto zgjedhje të mos organizohen në këtë kohë.
Duke u shprehur i bindur se do ta rrëmbejë karrigen e “bajraktarit” të kësaj komune, ka akuzuar partinë në pushtet (LDK) për keqqeverisje për 20 vjet rresht.
“Arsyeja se për çka ka ardhur deri të shtyrja e tyre ka qenë pandemia e koronavirusit. Ne e dimë që në të gjitha vendet e rajonit i kanë menaxhuar zgjedhjet, duke filluar prej Maqedonisë, Malit të Zi. Mendoj se s’ka ndonjë arsye pasi edhe janë liruar gati të gjitha masat që të shtyhen më tutje ato, pasi edhe periudha për zgjedhjet e tjera të rregullta është jashtëzakonisht e shkurt, e nëse shtyhen akoma ato më s’kanë as edhe një efekt. Prandaj, dihet se ky është një vendim ekskluzivisht politik prej presidentit Thaçi, me qëllim që t’i plotësojë kërkesat e atij subjekti politik, të cilit llogaritet se i ka pasur borxhe.
Ne si LVV kemi qenë të gatshëm edhe atëherë, por edhe tash që të kyçemi në këtë proces, e që jemi edhe shumë të bindur se do t’i fitojmë ato zgjedhje pa balotazh qysh në raundin e parë. Qeverisja aktuale që është në pushtet që 20 vite ka punuar shumë pak në interes të qytetarëve llapjanë. Një pjesë e madhe e projekteve të realizuara janë projekte të cilat më tepër u kanë konvenuar njerëzve që kanë qeverisur në të komunë, se sa që janë realizuar në interes të qytetarëve”, thotë Bulliqi.I gatshëm për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve thotë se është edhe kandidati i LDK-së, aktualisht kryetar në detyrë i kësa komune, Nexhmi Rudari.Ky i fundit është shprehur i bindur se Podujeva do të vazhdojë të jetë bastion i LDK-së.
“Për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës vendosin Presidenti, KQZ-ja pas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk kam ndonjë informatë se a do ketë tash. Ne kemi qenë gatshëm edhe atëherë. tash dhe kurdo që të shpallen. Fitorja jonë s’do të diskutohet, pasi në Podujevë dihet se LDK-ja do t’i fitojë dhe do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë për të qeverisur, sepse ka bërë punë të mira në dobi të qytetarëve dhe ata nuk kanë nevojë t’i provojnë aventurat me këtë pjesë të padëshmuar dhe të pa sprovuar”, thotë Nexhmi Rudari.
E kandidati i PDK-së, Naim Fetahu, duke thënë se zgjedhjet duhet mbajtur, ka thënë se qytetarët, sipas tij, janë lodhur nga qeverisja e 20-vjeçare e LDK-së në Llap.“Jemi dukë bërë punën në teren dhe jemi duke punuar, por prapë janë organet kompetente për vendosjen e mbajtjes së zgjedhjeve dhe kurdo që të vendosen jemi të gatshëm. Kemi hyrë në garë dhe gjithsesi se ato do t’i fitojmë.
Vazhdimisht kemi dhënë opinionet për këtë qeverisje aktuale, pasi që qytetarët tonë janë të lodhur me këtë qeverisje dhe mendoj se është momenti ideal për të ndryshuar dhe kjo pritet të ndodhë kur zgjedhjet të vendoset për t’u mbajtur”, ka thënë Fetahu,Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës vijnë pasi ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu dha dorëheqje për t’u emëruar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ky vendim çoi në Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme./GazetaBlic