Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka ndaluar për 48 orë tre persona, të dyshuar për plagosjen e sotme në Viti.
Në një njoftim të lëshuar, ajo jep edhe detaje shtesë mbi aktin e sotëm ndodhur saktësisht në Fshatin e Ri.
”Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar tre (3) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve, të pandehurit N.H. dhe N.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ”Vrasja e rëndë në tentativë” dhe ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe të pandehurin A.B., për veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dyshohet se gjatë ditës së sotme, më 08 Gusht 2024, rreth orës 10:07 minuta, në Fshatin e Ri, në komunën e Vitisë, të pandehurit N.B. dhe A.B, janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri, të cilët për shkak të plagëve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, pastaj janë transferuar në Spitalin Regjional në Gjilan, të cilët për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë penale”.