Pjetër Shala, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i akuzuar për krime lufte dhe i arrestuar para dy javësh më parë në Belgjikë, ka kërkuar nga autoritetet belge që të refuzohet kërkesa e Dhomave të Specializuara të Kosovës për ekstradimin e tij në Hagë.
Sipas raportimit të gazetës belge “La Meuse”, 58-vjeçari u paraqit sot para Gjykatës së Liezhit në Belgjikë dhe kërkoi që të refuzohet kërkesa e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, me urdhër arrestin e së cilës ai u arrestua më 16 mars.
Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton Gazeta Insajderi.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, dy javë më parë njoftuan se Shala do të mbahej i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.
I njohur me nofkën e luftës si “Ujku”, gjatë kohës së luftës ai ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.
Në shkurt të 2019, ai ishte intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.