Të mërkurën janë suspenduar tre zyrtarë policor. Njëri kolonel, tjetri major dhe një rreshter policor, ky suspendim sipas Policisë së Kosovës është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike të cilat bien në kundërshtim më procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.
Lidhur me dyshimin në pjesëmarrje të tubimeve elektorale dhe suspendimin e policëve për “Front Online” kanë folur ish-drejtor të IPK-së dhe Policisë, të cilët këtë rast e kanë vlerësuar si dëmtim të imazhit të Policisë dhe vet individëve.
Ish-drejtori i IPK: Pjesëmarrja e policëve në tubime politike dëmton imazhin e institucioneve
Ish-drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me suspendimin e tre policëve të cilët janë parë në tubime partiake.
Hoxha ka thënë se IPK-ja është përgjegjës për inspektimin e rendit dhe ligjit brenda policisë dhe se, nëse konfirmohet pjesëmarrja e policëve, duhet të merren masa.
“Përveç ligjit të policisë janë edhe aktet e brendshme të disiplinës dhe inspektorati është i thirrur për t’u kujdesur për inspektimin e rendit dhe ligjit brenda policisë. Nëse kanë marr pjesë vërtetë duhet të veprohet në parim me ligjin e policisë dhe udhëzimet administrative që derivojnë nga ligji i policisë në kontekst të respektimit të etikës policore”, thotë Hoxha.
Ai ka shtuar se pjesëmarrja e zyrtarëve policor në tubime politike dëmton imazhin e tyre dhe të institucioneve që ata përfaqësojnë.
“Pjesëmarrja e zyrtarëve policor në tubime elektorale e dëmton imazhin e tyre dhe vet organizatës të cilën ata e përfaqësojnë. Një zyrtar policor është 24 orë policë dhe duhet të kenë kujdes dhe t’i shmangën këto tubime se mund të perceptohen të njëanshëm”, deklaroi Hoxha për “Front Online”.
Ish-drejtori i Policisë: Pjesëmarrja e policëve në tubime politike, shkelje e rregullave të brendshme të policisë
Ish-drejtori i Policisë, Sheremet Ahmeti, ka reaguar lidhur me suspendimin e tre policëve të dyshuar për pjesëmarrje në tubime elektorale, duke theksuar se një zyrtar policor nuk guxon të identifikohet si i tillë jashtë orarit të punës.
Ahmeti tha se pas orarit të punës, zyrtarët policorë janë qytetarë si të tjerët dhe kanë të drejtën të marrin pjesë në aktivitete politike, por nuk mund të identifikohen si pjesë e policisë.
“Nuk guxon të identifikohet në asgjë si zyrtarë i policisë. Pas orarit të punës është qytetar si të gjithë të tjerët ka të drejtë por nuk guxon të identifikohet si zyrtar policor kjo është e përcaktuar me rregullore të brendshme të gjithë e dinë këtë”, deklaroi Ahmeti për “Front Online”.
Ish-drejtori i PK-së: Policia duhet të respektojë kufizimet ligjore gjatë periudhës zgjedhore
Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, është deklaruar mbi rolin e zyrtarëve policorë gjatë periudhës zgjedhore, duke theksuar se Ligji mbi Policinë e rregullon qartë se si duhet të veprojnë ata gjatë fushatave elektorale.
“Ligji mbi policinë e rregullon çështjen se si duhet të jenë zyrtarët policor e epror të policisë gjatë kohës së zgjedhjeve të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm që mos të tejkalojnë limitet ligjore të cilat i përcakton ligji”, tha ai.
Ai ka theksuar se, megjithëse zyrtarët policorë janë qytetarë të Kosovës dhe kanë të drejtën të marrin pjesë në aktivitete politike, ata nuk kanë të drejtë të angazhohen aktivisht në fushata elektorale.
“Ata janë qytetarë të Kosovës dhe kanë të drejtë marrin pjesë në tubime dhe të dëgjojnë programet e partive politike kur janë jashtë detyrës e uniformës sikur çdo qytetarë tjetër mirëpo nuk kanë të drejtë të jenë aktiv në fushatë dhe pjesë e ndonjë shtabi”, shprehet Qalaj për “Front Online”.
Avokati Arianit Koci ka reaguar duke kërkuar nga organet kompetente duhet ta trajtojnë rastin me paanshmëri dhe profesionalizëm.
“Nëse ka një hetues në polici për të cilin kam mendim të mirë si profesionist dhe njeri i ndershëm, ai është Idriz Gashi. Prej dje, ai është i suspenduar! Suspendimi është një hap procedurial fillestar, dhe Idriz Gashi ka të drejtën e tij për të paraqitur faktet dhe mbrojtjen. Organet kompetente duhet ta trajtojnë rastin me paanshmëri dhe profesionalizëm.Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar”, ka shkruar ai.
Koci ka thënë se hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë.
“Për këtë, klienti i im ka prova materiale. Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj kallëzim penal për falsifikimin e fotos”, tha Koci.