Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2022.
Nga rezultatet e dala nga ky publikim rezulton se pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2022 është shpenzuar në ushqim dhe banim.
Sipas ASK-së, totali i shpenzimeve për konsum në Kosovë në vitin 2022 ishte 2 527 milion euro, shpenzimet në konsum për një ekonomi familjare ishin 8 106 euro, ndërsa shpenzimet për kokë banori ishin 1 903 euro.
Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2022 është shpenzuar në ushqim dhe banim, 55 % për ushqim dhe 14% për banim, të konsumit të përgjithshëm. Pasojnë shpenzimet për transport 7%, për veshmbathje 6%, për alkool dhe duhan, si dhe për mobiliet nga 3%, komunikim dhe rekreacion me nga 2% dhe nga 1% ishin shpenzimet për edukim dhe shpenzimet në hotele dhe restorante, ndërsa 2% bëjnë pjesë në grupin e shpenzimeve të tjera.