Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se fitorja e Joseph Biden në garën për presidentin amerikan e bën pozitën e Serbisë më të vështirë, por që sipas tij “nuk është fundi i botës”.
Ai vlerësoi për TV Pink se Prishtina ishte duke pritur për rezultatet e zgjedhjeve amerikane gjatë gjithë kohës, dhe siç tha ai “në pritje që Shtetet e Bashkuara do të bënin presion shtesë mbi Serbinë për ta njohur Kosovën dhe që gjërat në dialog të lëviznin në drejtimin që i shkon për shtat asaj”.
“Ajo që ka ndryshuar, shpresoj të vazhdojë, është se për herë të parë në dekada, administrata amerikane dëshiron të dëgjojë përfundimisht palën serbe, e cila u bë e mundur falë Presidentit Vuçiq, i cili arriti ta rikthejë çështjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, transmeton Klan Kosova.
Ai gjithashtu theksoi se në urimet e tij për Biden, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia shpreson për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë, i cili u krijua gjatë administratës Trump.
“Ndryshe nga të gjithë ata që vrapuan për t’i hedhur një gur Trumpit, Presidenti Vuçiq nuk heq dorë nga faktet, dhe kjo është se gjatë kohës së Trumpit, Serbia po lëvizte në drejtimin e duhur, prandaj ne thamë që pozicioni ynë me Biden do të ishte më i vështirë”, shtoi ai, transmeton Klan Kosova.