Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq,ka thënë se ”mesazhet e djeshme nga udhëheqësi i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili vuri në pikëpyetje formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe e kërcënoni Serbinë me kërkesë për dëmshpërblime të pretenduara të luftës, dëmtojnë drejtpërdrejt çdo mundësi dhe të ardhmen e dialogut”.
Në një kumtesë të kësaj të ashtuquajturës zyre, Petkoviq pretendon se kjo kërkesë është absurde kur meret parasysh se sipas ligjit ndërkombëtar, është e pamundur që “një krahinë të kërkojë kompensim lufte nga shteti i saj”.
“Parakushti themelor për vazhdimin e bisedimeve është ndërtimi i besimit të ndërsjellë dhe diçka të tillë nuk ka pa respektuar dhe zbatuar marrëveshjet e nënshkruara deri më tani. Si një partner i besueshëm në dialog, Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij ndërkombëtare dhe pret që të ketë një bashkëbisedues të besueshëm në anën tjetër të tryezës së bisedimeve i cili është gjithashtu i gatshëm të zbatojë marrëveshjen”, shtohet në kumtesë.
“Prandaj, ne presim që Prishtina të heqë dorë nga retorika elektorale dhe luftëtare dhe në vend që të kërcënojë me Shqipëri të Madhe ose të mohojë detyrimet e saj, t’i qaset formimit të ASK, siç jemi marrë vesh në Bruksel 2.894 ditë më parë, pa interpretime shtesë të njëanshme”, ka thënë Petkoviq.
Ai gjithashtu pretendon se “Beogradi do të jetë gjithmonë i gatshëm për të diskutuar dhe mbështetur iniciativa dhe marrëveshje që synojnë ndërtimin e një të ardhme të përbashkët dhe paqe në këto hapësira, por kurrë nuk do të pajtohet me shantazhe”.