Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se fitorja e kandidatit të Listës Serbe, Milan Radojeviq, në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut është një reflektim i mbështetjes së serbëve në Kosovë për politikën e qeverisë serbe dhe të Aleksandar Vuçiqit.
“Një votë për Listën Serbe është një votë për shtetin e Serbisë, për Beogradin, për të ardhmen dhe vazhdimin e projekteve të zbatuara nga qeveria dhe janë 349 sosh”, i tha Petkoviq RTS-së.
Ai deklaroi se Lista Serbe është një projekt me rëndësi kombëtare, ndërsa tha se kanë arritur të krijojnë unitet te serbët në Kosovë.
“Falë qeverisë dhe Presidentit Vuçiq, pas vitesh dhe vitesh të tëra, ne arritëm të krijojmë atë unitet serb, në mënyrë që të mos ketë më serbë të Haradinajt ose Thaçit, por vetëm serbë që kujdesen për të ardhmen e popullit serb”, u shpreh Petkoviq, transmeton Gazeta Express.
I pyetur nëse dhe kur pritet të vazhdojë dialogu, Petkoviq tha se varet nga Brukseli.