Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka përfunduar ditën e tij të parë të vizitës së tij në veri të Kosovës me një vizitë në manastirin e fshatit Bajë të Skënderajt. Në manastirin e Bajës, Petkoviq bisedoi me peshkopin serb Teodosije. Të dy paralajmëruan investime të reja të Serbisë në kisha dhe manastire në Kosovë.
Peshkopi Teodosije e cilësoi vizitën e Petkoviqit si inkurajim për të gjithë serbët në Kosovë, ndërsa pasuesi i Marko Gjuriqit tha se shteti i Serbisë dhe kisha ortodokse serbe përfaqësojnë dy shtylla të pathyeshme të mbijetesës serbe në Kosovë.
“Kjo do të thotë që në periudhën e ardhshme ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbështetur Kishën Ortodokse Serbe dhe Dioqezën e Rashkës dhe Prizrenit përmes projekteve të ndryshme, dhe në këtë manastir mesjetar jemi dëshmitarë të një prej këtyre projekteve të rëndësishme për shtetin e Serbisë, Kishën Ortodokse Serbe dhe të gjithë serbët”, theksoi Petkoviq.
Ai përsëriti se Serbia dhe populli serb kanë nevojë për paqe.
“Serbët në Kosovë dhe Metohi dhe të gjithë ne në përgjithësi kemi nevojë për paqe dhe qetësi midis serbëve dhe shqiptarëve është çelësi për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, tha Petkoviq.
Si pjesë e vizitës së tij të parë që nga marrja e detyrës si drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë dhe Metohi, Petkoviq gjithashtu pati takime sot me kryetarin e ri të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq dhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Qeveria e Kosovës ka pranuar se ka dhënë leje që drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë të hyjë sot në Kosovë për të qëndruar në një vizitë të planifikuar dyditore.