Saktësisht me 3 prill të vitit 2017, Prokuroria Themelore në Prishtinë i kishte dërguar Gjykatës aktakuzën kundër reperit Gjiko, për dhunim të një të miture në vitin 2015-2016. Qysh prej asaj kohe, kjo aktakuzë tepër e rëndë që e posedon edhe Gazeta Nacionale, kishte qëndruar në sirtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë teksa reperi vazhdonte të bënte karrierë të bujshme në muzikë.
Gjiko gjatë periudhës prill 2017 – prill 2022 ka realizuar dhjetra këngë me miliona klikime në youtube, ka bërë miliona ndjekës në rrjetet sociale duke e rritur ndikimin e tij tek audienca dhe ka realizuar me qindra koncerte gjatë verës nëpër Kosovë e Shqipëri e gjatë stinëve të tjera nëpër vendet evropiane ku jetojnë shqiptarët. Fakti që ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nuk e kishte penguar atë që të bashkëpunonte edhe me të tjerë yje të muzikës shqiptare, për të cilët kemi diskutuar në Podcast Nacionale.
Por gjatë këtyre 5 viteve sa Gjiko po bënte namin në skënën e muzikës shqiptare,Gjykata dhe Prokuroria vetëm kanë shikuar. Teksa para syve të tyre, njeriu me aktakuzë për dhunimin e një të miture, zhvillonte karrierën si rap artist i famshëm. Si është e mundur që një çështje kaq e ndjeshme kundër një personi kaq publik të qëndronte sekret në sirtarët e Gjykatës?
“Këtë nuk e di as vet, ama kallxon shumë për sistemin e drejtësisë”, thotë Lavdim Hamidi, kryeredaktor i portalit “Frontonline” të cilët të parët e kanë publikuar lajmin se ndaj Gjikos egziston një aktakuzë për dhunimin e një të miture. Hamidi flet në këtë podcast bisedë për procesin sesi erdhën deri tek informacioni që qëndronte në sirtarët e Gjykatës. Ai flet edhe për padinë që reperi ka bërë ndaj tij dhe kolegut në portal, duke ua kërkuar 10 mijë euro, dhe sesi organizata të ndryshme jo-qeveritare po i ndihmojnë që ta fitojnë këtë betejë me “armatën e avokatëve” që Gjiko ka angazhuar kundër gazetarëve.
Disa ditë pasi Frontonline publikoi lajmin për aktakuzën, kolegët e tyre në Insajderi, filluan të publikojnë detaje nga aktakuza. Edhe ndaj tyre, Gjiko ka angazhuar një ekip të avokatëve duke i paditur. Liridona Hyseni, redaktore përgjegjëse në Insajderi thotë se Gjykata nuk ka dhënë asnjë deklaratë e asnjë sqarim se përse nuk u morën me këtë rast për 5 vite. Ndiqni bisedën me Hysenin për të kuptuar më shumë.
Publikimi i aktakuzës ndaj reperit në media, 5 vite pasi ajo qëndroi në sirtarët e Gjykatës, tregon sipas dy bashkëbiseduesve edhe njëherë rëndësinë e mediave dhe gazetarëve në informimin për temat që kanë rëndësi për publikun.