Alma Nivokazi ka qenë pjesë e Përfaqësueses A të Kosovës në hendboll për ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Euro 2022.
Nivokazi e ka fituar rastin në ndeshje, duke dëshmuar se është me të ardhme. Përvojën e krijuar me Kombëtaren A, Alma tani synon ta shfrytëzojë maksimalisht me Kombëtaren U19 të Kosovës në hendboll. Ajo pritet të jetë prej lojtareve kryesore të Kosovës U19, që prej 10 deri më 17 korrik do të marr pjesë në Evropianin e Divizionit B në Shkup.
Përfaqësuesja mblidhet të enjten në Istog.
Nivokazi tashmë është prej lojtareve kryesore te Prishtina dhe pret të jap kontributin e saj me Kombëtaren U19.
“Përvoja që kisha me Kosovën A do të më ndihmojë shumë në karrierën time. Kishte gjëra të reja e sfiduese për mua. Mësova shumë gjatë grumbullimit. Natyrisht ajo përvojë shpresoj të më shërbejë tani me U19”, ka thënë Nivokazi për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Më herët Nivokazi ka qenë pjesë e Kosovës U17 dhe kishte marrë pjesë në Evropian në Itali.
“Së bashku synojmë suksesin në Evropianin në Shkup. I njoh disa prej bashkëlojtareve dhe besoj që me punë, përkushtim dhe vullnet, së bashku me trajnerët, do të kemi suksese”, ka theksuar Alma.
Ajo ka vazhduar se “asnjë rrugëtim nuk është i lehtë. Gjërat në fillim janë të vështira, por me vetëbesim e bën më të lehtë atë për të cilën ke ushtruar ndër vite. Unë pres angazhim maksimal nga vetja dhe të japim atomin e fundit duke luftuar për Kosovën”./FrontOnline/