Përvoja e heroit të Entoni Tejlor si një oficer burgu e ndihmoi atë të merrte vendimet në sekondën e dytë që i shpëtuan jetën Kristian Eriksenit. Tejlor është vlerësuar nga Kris Foj, i cili ishte një nga trajnerët që punoi me ish-rojën e burgut ndërsa më vonë ai u caktua si gjyqtar në Premier Ligë. “Të gjithë trajnimin dhe përvojën e Tejlorit, në fushë dhe jashtë tij në burgun famëkeq ‘Strangeways’ në Mançester, u bashkuan ndërsa ai mori kontrollin e rrethanave të tmerrshme që kishin të bënin me rënien në tokë të Eriksenit.
Tejlor menjëherë kuptoi se diçka ishte keq dhe pa asnjë hezitim, ndaloi lojën në sekondën e dytë dhe thirri ekipet mjekësore në fushë”, tha ish-trajneri i arbitrit kur punonte në burg. Tejlor menaxhoi ngjarjet e tmerrshme me shpejtësi dhe profesionalizëm që i ka dhënë lavdërime në të gjithë botën, duke përfshirë edhe persona si Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, kapiteni i Finlandës Tim Sparv, ish-arbitri Mark Klatenburg, si dhe tifozë dhe ekspertë të panumërt. “Ka aftësi që janë të vlefshme si në punën në shërbimin e burgut edhe në arbitrim”, është shprehur Tejlor në vitin 2017, para një ndeshjeje mes Çelsit dhe Arsenalit në “FA Cup”.
TRAJNERI – “Puna në një burg do të thotë se kisha nevojë për shumë cilësi komunikimi dhe menaxhimi për t’u marrë me situatat e përditshme. Unë u specializova në teknikat e kontrollit dhe frenimit, duke edukuar stafin mbi mënyrat më të mira për të kontrolluar individë të dhunshëm dhe situata të vështira që paraqiten. Entoni ishte një oficer burgu dhe unë jam plotësisht i sigurt se ai ka qenë në disa situata stresuese më parë. Mënyra se si ai u përball me këtë situatë të vështirë në ndeshje, ishte e shpejtë. Jo vetëm e shpejtë, por ishte edhe e sigurt.
Ajo ishte mënyra e duhur e veprimit, kështu që me siguri trajnimi i tij në burg i shërbeu dhe i dha atij pak ndihmë në atë situatë. Nuk është asnjëherë mirë ta përballësh një situatë të tillë, por Tejlor është i përgatitur. ‘Godit, reago sa më shpejt, sa më fort dhe sa më saktë’, – është moto me të cilën ai ka punuar. – Mirëpo, në fushë është e vështirë të shohësh lojtarë që vuajnë. Fat i madh që futbollisti mori ndihmën dhe është ende gjallë”, ka deklaruar Kris Foi për “Sportsmail”, ish-trajneri që e mësoi gjyqtarin të reagonte në situatat e krizës mes katër mureve në burgje.