Senatori amerikan, Bernie Sanders i cili kishte garuar edhe në vitin 2016 edhe këtë vit për të marrë nominimin e Partisë Demokratike për president kishte parashikuar përmbysjen e rezultatit në shtetet kyçe Pensilvani, Wisconsin dhe Michigan përmes votave me postë.
Sanders në një paraqitje televizive para një jave kishte thënë se në këto shtete do të pranohen, miliona vota me postë që do të numërohen dhe që do të përmbysin rezultatin në favor të demokratëve dhe kandidatit Joe Biden, pasi këta të fundit kanë votuar më shumë me postë për dallim nga republikanët.
Sanders poashtu ka thënë se presidenti Trump do të dalë në media për të shpallur fitoren ditën e zgjedhjeve kur t’i shikojë rezultatet në Pensilvani, Wisconsin e Michigan por që ditën e dytë të gjitha votat me postë do të fillojnë të numërohen dhe Biden do të fitojë këto shtete.
Senatori amerikan ka shtuar se është i shqetësuar pasi Trump do të thotë se i gjithë procesi ka qenë mashtrim dhe se nuk do ta lëshojë Zyrën Ovale, kur do të pësojë humbje në këto shtete si pasojë e miliona votave me postë që do të shkojnë për Biden.