Përveç luftës së nxehtë për titull në Superligën e Kosovës mes Prishtinës, Dritës dhe Ballkanit, një gjë e tillë po ndodhë edhe në pjesën e poshtme të tabelës.
Arbëria, Feronikeli, Trepça ’89, Drenica dhe Llapi janë në garë të ngushtë për mbijetesë, derisa Besa e Pejës tashmë e ka prerë “biletën” për në Ligën e Parë, raporton FrontOnline.
Xhiro pas xhiro, gjërat sa vijnë e bëhen më interesant në pjesën e poshtme të tabelës, duke e bërë garën shumë të ngushtë mes skuadrave në fjalë.
Gjykuar në renditjen momentale, punët më së keqi i ka Arbëria e cila ndodhet në vendin e nëntë me 33 pikë të tubuara.
Më pas, Arbërinë e ndjekin Feronikeli, Trepça ’89, Drenica dhe Llapi.
Për ta komentuar garën për mbijetesë, FrontOnline ka kontaktuar ish-futbollistin e mirënjohur dhe trajnerin, Erdin Hashani, si dhe futbollistin e Arbërisë, Almir Kryeziu.
Hashani: Arbëria largohet nga liga, i janë dashur lojtarë me përvojë
Ish-futbollisti i njohur, Erdin Hashani e ka komentuar garën e “nxehtë” për mbijetesë në elitën e futbollit të Kosovës.
Hashani që sot e drejton Vjosën e Shtimes si trajner, ka thënë se Arbëria do të bie nga liga.
“Arbëria do të largohet nga liga duke e parë që këto ndeshjet e fundit ka gabuar dhe ndoshta mungesa e përvojës për këto ndeshjet e fundit. Dihet se në fund të kampionatit ngarkesa psiqike shkon e rritet, e duke ia shtuar kësaj është edhe mungesa e futbollistëve me përvojë tek Arbëria”, ka deklaruar Hashani.
“Sa i përket punës së barazhit, mendoj se ka me qenë lufta mes Feronikelit dhe Trepçës ’89. Me fitoren e djeshme, Drenica e bëri një hap të madh për ikjen nga barazhi. Kush gabon mes këtyre tri skuadrave tash, do t’i ikë barazhit”, tregoi ai.
Sipas tij, Drenica e ka orarin më të mirë, derisa ka fjalë të mëdha për Besën e Pejës.
“E shohim se Drenica e ka orarin më të mirë nga këto skuadra. Duhet theksuar se ky vit është ndër më të mirët, sepse është interesant si për titull ashtu edhe për mbijetesë. Mos të harrojmë se Besa edhe pse është larguar nga Superliga, po zhvillon futboll dhe po bën befasi. Kjo është në të mirë të futbollit”, deklaroi të hënën për FrontOnline Erdin Hashani.
Kryeziu optimist për Arbërinë
Nga ana tjetër, futbollisti i Arbërisë, Almir Kryeziu është optimist për skuadrën e tij.
Ai beson se në fund, skuadra lipjanase do t’ia dalë të mbijetojë në Superligë.
“Mendoj se do të jetë një luftë e madhe deri në fund për mbijetesë dhe do të jetë shumë e vështirë. Por, besoj se skuadra jonë do t’ia dalë që të mbijetojë në Superligë”, deklaroi për FrontOnline Almir Kryeziu./FrontOnline/