Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, familjarët dhe bashkëluftëtarët e Komandant Drinit- Ekrem Rexha, sot kanë bërë përurimin e memorialit të Komandant Drinit në Prizren.
Gjatë ceremonisë së përurimit të këtij memoriali, kryetari Haskuka u shpreh se 20 vite pas vrasjes mizore të tij, Komandant Drinit po iu jepet mirënjohja e munguar, por e merituar, edhe pse sipas tij kjo është më e pakta që mund të bëhet për të përkujtuar jetën dhe veprën madhështore të tij.
“Komandant Drini është frymëzim për gjeneratat e reja për dashurinë për atdheun, punën, disiplinën dhe përkushtimin për të mirën publike. Ai është dhe do të mbetet gjallë në mendjen dhe zemrat tona si simbol i luftës së UÇK-së, ushtar i së mirës dhe të së drejtës, si dhe ushtar i cili së bashku me forcat e NATO-s çliroi Prizrenin e mori pjesë edhe në organizime për rimëkëmbjen e Kosovës”, shprehu Haskuka.
Në anën tjetër drejtori i Administratës, Osman Hajdari e falënderoi kryetarin Haskuka për inicimin dhe mbështetjen e fortë për ndërtimin e këtij memoriali të rëndësishëm.
Sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar për ndërtimin e këtij memoriali, kurse i biri i Komandant Drinit, Eki Rexha theksoi se kjo ditë ka qenë një ditë e shumëpritur nga familja e tij dhe falënderoi kontribuesit e projektit,ngase sipas tij, me këtë Komandant Drini do të përkujtohet përgjithmonë.